Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Albulena Haxhiu nuk do të ketë kurrë mbështetjen e PDK-së për postin e kryetares së Kuvendit, ndërsa e cilësoi situatën aktuale si të paprecedent dhe të dëmshme për institucionet.
Në një prononcim për media pas ndërprerjes së seancës konstituive, Krasniqi u shpreh se koalicioni VV–Guxo–Alternativa e ka të drejtën të propozojë kandidatin, por jo të imponojë një emër që nuk ka votat e mjaftueshme.
“Po vazhdojnë ta bllokojnë Kuvendin, sepse një kandidate që s’i ka votat nuk është më e rëndësishme se vetë Kuvendi”, deklaroi ai.
Ai tha se Albulena Haxhiu është përgjegjëse për disa skandale, duke përmendur humbjen e mostrave të Astrit Deharit dhe uljen e fondeve për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë. Sipas tij, Vetëvendosje duhet të tërhiqet nga kjo kandidaturë dhe të propozojë një emër tjetër. /atvlive.tv