A do ta votojnë sot partitë opozitare Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit?

Përpjekja e katërt për konstituimin e Kuvendit të Kosovës vijon të hënën. Partitë e opozitës së deritashme, PDK, LDK dhe AAK kanë thënë se nuk do ta përkrahin me votë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare, Albulena Haxhiun.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë ndryshuar qëndrim për të propozuarën e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiun.

Asnjë nga partitë e opozitës së deritashme nuk ka votë për Haxhiun, kanë thënë përfaqësues të këtyre partive politike të hënën.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, e cila në sytë e opozitës konsiderohet si figurë përçarëse më shumë sesa unifikuese, mori 57 vota nga 61 të nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare të shtunën, në përpjekjen e tretë për krijimin e Kuvendit.

Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës, në një deklarim për portalin FrontOnline të hënën, e la të hapur mundësinë e gjetjes së një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit, por jo me Haxhiun si kandidate për kryeparlamentare.

Ai tha se është i nevojshëm koordinimi mes subjekteve partiake për të kaluar ngërçin e krijuar në proces.

“Po, është detyrë e partisë fituese që me reflektu, në drejtim të jetësimit të vullnetit të popullit, themelimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm,” tha ai.

Edhe LDK-ja tha se nuk ka ndryshuar qëndrim për kandidaturën e Haxhiut.

Alban Zogaj, deputet i LDK-së në legjislaturën e nëntë, tha se LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e sotme.

“Po do të marrim pjesë. Qëndrimi ynë deri në ketë moment nuk ka ndryshuar” tha ai shkurtimisht për FrontOnline.

AAK-ja e Ramush Haradinajt po ashtu e ka kundërshtuar me votë të shtunën kandidaturën e Haxhiut. Qëndrim të njëjtë do të mbajë edhe në vazhdimin e seancës të hënën, tha sot deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.

“Do të marrim pjesë në seancë, por nuk kemi votë për kandidaturën e Vetëvendosjes” tha Kadrijaj për FrontOnline.

Në vazhdimin e seancës konstituive të shtunën, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Glauk Konjufca e propozoi për kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu.

Në dy procedura votimi, për kandidaturën e paraqitur votuan 57 deputetë, ndërsa kryesuesi Dehari konstatoi se propozimi nuk kalon dhe në këto rrethana njoftoi për ndërprerjen e seancës.

Seanca vazhdon sot në orën 15:00.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA