Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me aksionin policor të zhvilluar në orët e hershme të së hënës në Kaçanik. Ky aksion lidhet me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, raporton kp.
Sveçla ka shkruar në Facebook se drejtësia për rreshterin Lika që u vra më 1 prill, është domosdoshmëri.
“Muhamed Lika, familja e tij, Policia e Kosovës, populli dhe shteti kërkojnë dhe meritojnë drejtësi”, ka shkruar Sveçla në Facebook, duke lënë të kuptohet se aksioni i sotëm në Kaçanik është një hap drejt zbardhjes së këtij rasti të rëndë më 1 prill.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë do të mbaj një konferencë për media në orën 11:30 në Drejtorinë Rajonale e Policisë së Kosovës në Ferizaj, ku do të shpalosen detaje rreth operacionit policor që u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Kaçanikut dhe i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika. Në këtë konferencë do ta marrë pjesë: drejtori i përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend HOXHA, Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj Burim Çerkini.
Mëngjesin e së hënës, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka nisur një operacion policor që ka të bëjë me vrasjen e rreshterit, Muhamed Lika.
Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar Luljeta Mehmeti zëdhënëse e Policisë së Kosovës.
Mehmeti theksoi se aksioni policor po zhvillohet pas hetimeve intensive nga njësitet relevante
“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mengjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik”, ka thënë ajo për KosovaPress.
Sipas saj, pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë.
Më 1 prill, Muhamed Lika ishte gjetur i plagosur rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën ‘Idriz Seferi’, në Kaçanik rreth orës 23:00. Ai u transportua në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, raporton KosovaPress.
Për vrasjen e mbrëmshme të rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik, dy persona janë të dyshuar në këtë rast. Kështu ka thënë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini. Ai pati theksuar se dyshohet se nga vendi i ngjarjes kanë ikur në këmbë të dyshuarit. /kp