Kompania e miliarderit Elon Musk, aleat i presidentit amerikan, Donald Trump, dhe dy partner të tjerë kanë dalë si favoritë për të fituar një pjesë jetike të mburojës mbrojtëse raketore “Kupola e Artë”, kanë thënë gjashtë persona të afërt me çështjen.
Kompania raketore e satelitore e Muskut është duke bashkëpunuar me prodhuesin e softuerëve, “Palantir”, dhe me prodhuesin e dronëve, “Andulir”, në synimin për të ndërtuar pjesë kyçe të “Kupolës së Artë”, thanë burimet. Ky projekt ka ngjallur interesim të konsiderueshëm te kompanitë e mbrojtjes në sektorin e teknologjisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në urdhrin e nënshkruar më 27 janar, kreu i Shtëpisë së Bardhë përmendi një sulm raketor si “kërcënimi më katastrofal me të cilin ballafaqohen Shtetet e Bashkuara”.
Të tria kompanitë janë themeluar nga ndërmarrës që kanë qenë mbështetës të rëndësishëm politikë të Trumpit. Musku ka dhuruar më shumë se 250 milionë dollarë për ta ndihmuar Trumpin që të rikthehet në pushtet dhe tani shërben si këshilltar i posaçëm i presidentit dhe punon për t’i zvogëluar shpenzimet qeveritare përmes Departamentit të Efiçiencës Qeveritare.
Pavarësisht nga sinjalet pozitive nga Pentagoni për kompaninë “SpaceX”, disa burime theksuan se procesi i vendimit për “Kupolën e Artë” të Trumpit është në fazat fillestare. Struktura përfundimtare e mburojës raketore dhe ajo se kush do të përzgjidhet për të punuar në ndërtimin e saj mund të ndryshojnë në mënyrë dramatike muajve të ardhshëm.
Përfaqësues të tri kompanive u takuan me zyrtarë të lartë në administratën e Trumpit dhe me Pentagonin për ta paraqitur planin e tyre, sipas së cilit do të ndërtoheshin dhe do të lëshoheshin nga 400 deri në mbi 1.000 satelitë që do të qarkullonin përreth Tokës për t’i vërejtur raketat dhe për ta përcjellë lëvizjen e tyre, thanë burimet.
Një flotë tjetër me 200 satelitë sulmues, të armatosur me raketa ose laserë, do t’i rrëzonin më pas raketat e armikut, thanë tri burime, të cilat shtuan se grupi “SpaceX” nuk pritet të përfshihet në armatosjen e satelitëve.
Kompania “SpaceX” dhe Musku kanë refuzuar të komentojnë për të treguar nëse miliarderi është i përfshirë në ndonjërin nga diskutimet ose bisedimet që përfshijnë kontrata federale me bizneset e tij.
Pentagoni nuk iu përgjigj pyetjeve të hollësishme të agjencisë “Reuters”, duke thënë vetëm që “do t’ia japë presidentit opsionet për vendimin e tij në vijë me urdhrin ekzekutiv dhe në përputhje me udhëzimet dhe afatet e Shtëpisë së Bardhë”.
Shtëpia e Bardhë si dhe kompanitë “SpaceX”, “Palantir” dhe “Anduril” nuk iu përgjigjën pyetjeve./Nacionale