Presidentja Vjosa Osmani i është përgjigjur me shkrim letrës së kryesuesit të seancës, Avni Dehari, duke i kërkuar që ta thërrasë vazhdimin e saj brenda 48 orëve, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Në letrën zyrtare të siguruar nga ATV, Presidentja rikujton se “funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik”.
Ajo thotë se seanca duhet të vazhdojë, pa vonesa, në përputhje me parimet kushtetuese dhe praktikat e Gjykatës Kushtetuese.
“Fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj”, thuhet në përgjigjen e Presidentes, ndërsa shton se është e gatshme të takojë përfaqësuesit e partive për të diskutuar rrugën përpara nëse vlerësohet e nevojshme. /atvlive.tv