Presidentja Vjosa Osmani, priti sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik.
Osmani ka falënderuar diplomatin italian për kontributin e tij të çmuar gjatë mandatit në Kosovë dhe ka vlerësuar lart angazhimin e tij për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Ajo i ka uruar suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të ardhshme diplomatike, duke theksuar se miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Italisë do të mbeten gjithmonë të qëndrueshme dhe të bazuara në vlera të përbashkëta.
Osmani theksoi se mbështetja e Italisë mbetet thelbësore për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik.
Ajo nënvizoi nevojën për angazhim të mëtejshëm të Italisë si një partnere strategjike, veçanërisht në forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, raporton KosovaPress.
Ambasadori De Riu ishte emëruar në këtë detyrë në shtator 2021. Italia është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka hapur ambasadën e saj në Prishtinë, më 2008.