Bashkimi Evropian sot publikoi një listë prej shtatë vendesh që i konsideron “të sigurta”, në një përpjekje për të përshpejtuar kthimin e migrantëve duke ua bërë më të vështirë qytetarëve të këtyre vendeve të kërkojnë azil në familjen e madhe evropiane.
Komisioni Evropian tha se po propozonte të caktonte Kosovën, Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun dhe Tunizinë si “vende të sigurta të origjinës”, raporton KosovaPress.
KE tha sot se vendet kandidate për në BE do të përmbushnin në parim kriteret për t’u përcaktuar si vende të sigurta, por ai gjithashtu përcaktoi përjashtime, duke përfshirë edhe rastet kur ato goditen nga një konflikt diçka që për shembull do të përjashtonte Ukrainën.
Lista e publikuar mund të zgjerohet ose rishikohet me kalimin e kohës dhe është hartuar duke parë vendet nga të cilat vijnë aktualisht një numër i konsiderueshëm aplikantësh.
Kalimet e parregullta kufitare të zbuluara në Bashkimin Evropian ranë me 38 për qind në 239 mijë vitin e kaluar pas një kulmi pothuajse 10-vjeçar në vitin 2023, sipas agjencisë kufitare të BE-së Frontex.
Aktualisht, më pak se 20 për qind e njerëzve të urdhëruar të largohen nga blloku kthehen në vendin e tyre të origjinës, sipas të dhënave të BE-së.
Muajin e kaluar, komisioni zbuloi një reformë të planifikuar të sistemit të kthimit të bllokut prej 27 vendesh, e cila hapi rrugën për shtetet anëtare për të ngritur qendra kthimi të emigrantëve jashtë BE-së.
Një vend kandidat do të përjashtohej vetëm në disa rrethana specifike: dhunë pa dallim në situata konflikti, sanksione të miratuara nga Këshilli ndaj atij vendi, ose një shkallë njohjeje në të gjithë BE-në e aplikantëve për azil më të lartë se 20%.
Propozimi i Komisionit mbështetet në një analizë nga Agjencia e BE-së për Azilin dhe burime të tjera, duke përfshirë informacionin nga Shtetet Anëtare, UNHCR dhe EEAS.
Lista e BE-së e vendeve të sigurta të origjinës mund të zgjerohet ose rishikohet me kalimin e kohës. Vendet gjithashtu mund të pezullohen ose të hiqen nga lista, nëse ato nuk i plotësojnë më kriteret për t’u përcaktuar si një vend i sigurt i origjinës.
Përcaktimi si vend i sigurt i origjinës nuk përcakton një garanci sigurie për të gjithë shtetasit e atij vendi. Shtetet Anëtare duhet të kryejnë një vlerësim individual të çdo kërkese për azil, pavarësisht nga fakti nëse një person vjen nga një vend i sigurt i origjinës apo jo.
Hapat e mëtejshëm
Tani i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit të bien dakord për këtë propozim.
Si pjesë e punës së tij për zbatimin e Paktit, Komisioni ka mbështetur Shtetet Anëtare për të identifikuar fushat ku puna mund të përqendrohet paraprakisht, për të përshpejtuar aspekte të caktuara të Paktit që do të rrisin efikasitetin e sistemit tonë të azilit.
Vlerësimi nëse një vend i tretë është një vend i sigurt origjine në përputhje me Rregulloren e Procedurës së Azilit u bazua në një seri shkëmbimesh me Shtetet Anëtare, EUAA-në, Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, si dhe UNCHR-në, dhe palë të tjera të interesuara si organizatat joqeveritare.
EUAA përcaktoi një metodologji për të mbështetur identifikimin e vendeve të sigurta të origjinës, duke parë vendet e origjinës nga të cilat sjell një ngarkesë të konsiderueshme rastesh azili në BE.
Kjo përfshin vendet kandidate të BE-së; vendet e origjinës me një shkallë njohjeje në të gjithë BE-në prej 5% ose më të ulët që krijojnë një ngarkesë të konsiderueshme rastesh azili në BE; vendet pa viza me një shkallë njohjeje në të gjithë BE-në prej 5% ose më të ulët që krijojnë një ngarkesë të konsiderueshme rastesh azili në BE; dhe vendet që tashmë figurojnë në listat ekzistuese të Shteteve Anëtare të vendeve të sigurta të origjinës.