Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se nuk ka informata nëse është dërguar letra në Presidencë se si do të vijohet me seancën konstituive pas dështimit të djeshëm, pro ka shprehur besimin se ajo do të mbahet me kohë.
Ai nuk ka treguar nëse kanë votat për votimin e kryeparlamentarit, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur, por edhe të formimit të qeverisë, për të cilën aktualisht Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e nevojshme, veçse tha se një gjë e tillë do të shihet gjatë “proceseve të ardhshme”.
“Tash është paksa problematike kur supozimet e vetëndërtuara tentohet të bëhen konstatimet tona. Dje u pa që nuk ishim ne ata që bllokuam, apo jo? Domethënë ishte opozita, në këtë rast PDK, LDK, AAK dhe Lista serbe, të cilët e ngritën dorën për ta bllokuar procesin, jo ne. Faktet janë këtu. Pra, nuk ka fakte që dëshmojnë deri më tani që ne kemi qenë të interesuar për bllokim të institucioneve, është e kundërta. Dhe fakti është që opozita dje votoi kundër marrjes së mandatit të deputetit. Opozita dje tha, pa dhënë dorëheqje Qeveria, ne s’e formojmë Kuvendin. Çka i bie kjo? Kjo i bie që ata s’po donë të marrin mandat. Nuk e di cila është arsyeja pse po hyn opozita në këto teknikalitete duke refuzuar mandatin. Por prodhimi, rezultati është ky, kemi ngërç procedural dhe institucional aktualisht”, deklaroi Murati.
Murati ka deklaruar se nuk ka informata nëse është dërguar ndonjë letër në Presidencë, për të sqaruar hapat e mëtejmë pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit. Ai theksoi se dërgimi i një qëndrimi të tillë është në kompetencën e kryesuesit dhe se ka afat ligjor 48 orë deri në ftesën për seancën e radhës.
“Faktet tregojnë që opozita është e pa interesuar të formojë institucionet e vendit. Kështu që, ne veprojmë sipas ligjit, por ne nuk mund të veprojmë se çfarë kërkesa mund të ketë secili gjatë rrugës që e takojmë…Dhe letra, qëndrimi është paraqitur i tillë, njoftimi është bërë me kohë, ligji e parasheh që Qeveria me rastin e skadimit të mandatit të Kuvendit kalon në funksionin e Qeverisë kujdestare, pra Qeveri në detyrë dhe përkujdeset deri në ardhjen e Qeverisë së re. Dje kishim situatën ku opozita e tregoi se është e pa interesuar ose ndoshta e interesuar që të mos ketë krijim të institucioneve…Çështja tjetër, sa i përket letrës, nuk kam informata nëse është dërguar ose jo, por besoj që deputeti Dehari, kryesues i seancës, do ta dërgojë në kohë, ka 48 orë deri në ftesën e seancës së radhës, besoj që do të bëhet në kohë”, ka thënë Murati.
Sa i përket votave, Murati tha se procesi i votimit të djeshëm ka pasur të bëjë me një çështje procedurale, ku rëndom kanë votuar të gjitha subjektet, të gjitha grupet parlamentare, të gjithë deputetët
“Procesi i votimit të djeshëm ka pasur të bëjë me një çështje procedurale, ku rëndom kanë votuar të gjitha subjektet, të gjitha grupet parlamentare, të gjithë deputetët. Pra, ajo nuk është kurrfarë vërtetimi apo shpërfaqje se sa vota apo kush sa vota ka, meqenëse nuk ka qenë as situatë e tillë, ku ne është dashur të përkujdesemi që t’i mbledhim të gjithë deputetët, në mënyrë që të sigurohemi se kalon, sepse ne as që kemi as që kemi imagjinuar që do të ketë deputetë të opozitës që do të tentojnë bllokimin e institucioneve…Besoj që gjatë proceseve të ardhshme, siç e thashë, pra është rasti i konstituimit të Kuvendit, votimit për kryetarë dhe nënkryetarë, aty duhet të shihet pra sa vota janë për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, pastaj është mandatari i Qeverisë, i cili ka 15 ditë, siç e parasheh Kushtetuta, që nga data e mandatimit 15 ditë të radhës, në mënyrë që të shfrytëzojë atë kohë për të siguruar votat e nevojshme, të cilat ia paraqet seancës dhe votohet Qeveria e re Kurti 3”, ka thënë Murati.
Kujtojmë, Presidenca e Kosovës ka pranuar letrën nga kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari pasi ditën e martë është ndërprerë seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media në Zyrën e Presidencës.
“Letra sapo ka ardhur në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, ka thënë Kupina për KosovaPress.
Të martën, kryesuesi i seancës Avni Dehari ka ndërprerë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës për shkak të mos votimit të raportit për konfirmimin e mandatave.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka cilësuar “sulm brenda institucional dhe zgjedhjeve demokratike”. Ishin 52 deputetë për, 46 kundër dhe 11 deputetë që abstenuan të martën. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm. Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Nismës.