Letra e Avni Deharit arrin në Presidencë – çfarë kërkohet nga Osmani për situatën në Kuvend?

Një ditë pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryesuesi i saj, Avni Dehari, i është drejtuar me letër zyrtare Presidentes Vjosa Osmani, duke kërkuar sugjerime për opsionet e mundshme përpara, pas dështimit për të votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.

Letra siguruar nga ATV-ja, që mban firmën e Deharit, i drejtohet Presidentes për interpretim institucional mbi një situatë që ai e cilëson si të paprecedentë. Ai shpjegon se rendi i ditës i seancës përfshinte formimin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve, dhe zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit. Por procesi u bllokua që në pikën e parë.

“Ky Raport nuk e mori mbështetjen e shumicës në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, mandatet nuk u verifikuan dhe betimi i deputetëve nuk procedoi”, thuhet në letrën drejtuar Presidentes.

“Në këto rrethana, të një situate të paprecedent, unë ju drejtohem juve si Presidente e Republikës për sugjerime për opsionet e mundshme përpara.”

Nga Presidenca konfirmuan pranimin e letrës, duke shtuar se ekipi ligjor është duke e analizuar për të propozuar veprimet e mëtejme.

“Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, deklaroi për ATV këshilltari për media, Bekim Kupina.

Çfarë ndodhi në seancën e djeshme?

Seanca konstituive u ndërpre pasi opozita – PDK, LDK dhe AAK – votuan kundër verifikimit të mandateve, ndërsa Lista Serbe abstenoi. Arsyetimi i opozitës ishte se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat e tij nuk kishin dhënë dorëheqje nga funksionet qeveritare para betimit si deputetë, gjë që ata e cilësuan si shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë të vitit 2022.

Sipas nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, nëse një anëtar i Qeverisë zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje para ditës së certifikimit të rezultateve, për të shmangur konfliktin e interesit. Ky ligj, i miratuar në vitin 2022, përcakton edhe se një Qeveri në dorëheqje mund të vazhdojë ushtrimin e funksioneve, por me kufizime të qarta – si ndalimi i emërimeve të reja, miratimit të projektligjeve dhe nismave ndërkombëtare, përveç rasteve emergjente.

Megjithatë, Qeveria ka publikuar një dokument zyrtar të dorëheqjes së Kurtit dhe kabinetit të tij, e cila figuron e pranuar nga KQZ më 27 mars 2025, para certifikimit të rezultateve, siç kërkohet me ligj. Në këtë pikë ka lindur edhe mospajtimi kryesor mes Qeverisë dhe opozitës, pasi kjo e fundit nuk e ka njohur vlefshmërinë e dorëheqjes, duke pretenduar se ajo është dorëzuar te një autoritet jokompetent.

Hasani: Presidentja s’ka kompetencë, dorëheqja e Kurtit s’është valide

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Presidentja nuk ka kompetenca kushtetuese për të vepruar pas dështimit të seancës dhe se më e mira do të ishte të mos përgjigjej fare ndaj letrës së Deharit.

“S’ka këtu presidentja kurgjo. S’ka çfarë. Presidentja veç mundet të mos me u përgjigjë, që do të ishte ma e mira”, tha Hasani.

Ai e cilësoi dorëheqjen e paraqitur nga Kurti si të pavlefshme, pasi ishte drejtuar te Glauk Konjufca, të cilin e quajti “jokompetent”. Sipas Hasanit, KQZ-ja nuk është dashur të certifikojë kandidatët e Qeverisë pa një dorëheqje formale, siç e kërkon Ligji për Qeverinë.

“Nuk është dorëheqje. Absolutisht. Ajo është hajgare, tallje me institucionet, sepse ai i drejtohet personit të jokompetent. Glauku asnjë funksion s’ka në Kosovë”, tha Hasani.

Hasani shtoi se precedentët nga e kaluara nuk mund të përdoren si justifikim për shkeljet aktuale.

VV i referohet vitit 2014, por ligji i ri ndryshon gjithçka

Pas mosvotimit të raportit për verifikimin e mandateve nga opozita, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, publikoi një video të vitit 2014 ku shihet Hashim Thaçi duke votuar si deputet, ndërkohë që ende ushtronte funksionin e kryeministrit.

“Për opozitarët dhe hipokrizinë me veprimin e sotëm… Ja një shembull tipik për të kuptuar që situata e sotme nuk përbën asgjë ndryshe nga praktikat e mëhershme,” shkroi ajo në reagimin e saj publik.

Sipas Haxhiut, opozita po vepron me standarde të dyfishta duke kërkuar dorëheqje nga Kurti dhe ministrat, ndërkohë që në të kaluarën, veprimet e njëjta nuk ishin problematizuar. Por ajo nuk përmendi Ligjin për Qeverinë, të miratuar nga qeveria aktuale në vitin 2022, ku neni 26 përcakton qartë se një anëtar i Qeverisë duhet të japë dorëheqje para ditës së certifikimit të rezultateve, nëse dëshiron të marrë mandatin si deputet. Kjo e bën situatën e tanishme ligjërisht të ndryshme nga praktikat e mëhershme, të cilave Vetëvendosje po i referohet.

Pas letrës së Deharit, topi formalisht kalon te Presidentja, por njohësit e Kushtetutës vlerësojnë se ajo nuk ka asnjë kompetencë për të vepruar. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA