Deputeti Faton Peci, pas ndërprerje se seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se procesi i konstituimit është bllokuar për shkak të votës kundër të opozitës dhe abstenimit të Listës Serbe, duke pamundësuar verifikimin e mandateve, raporton ATV.
Ai tha se ndonëse kishte dorëzuar dorëheqjen si ministër në detyrë, obligimi i tij si deputet nuk u realizua për shkak të kësaj situate të papërcaktuar ligjërisht.
“Sot kam dhënë dorëheqje tek vartësi im, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, meqenëse është detyrim ligjor dhe kushtetues konstituimi i Kuvendit dhe pika numër një, që nënkupton verifikimi i mandateve. Një gjë të tillë e pamundësoi Lista Serbe, me abstenim, dhe opozita duke votuar kundër”, tha Peci.
Sipas tij, kjo është një situatë e re që nuk është e përcaktuar në Kushtetutë apo në Rregulloren e Punës së Kuvendit, dhe tash i takon presidentes të vendosë për hapat e mëtejmë.
“Kjo është një rrethanë e re që në aspektin kushtetues, ligjor dhe të Rregullores së Punës së Kuvendit nuk është e paraparë… dhe rrjedhimisht kryesuesi ka vendosur që t’i drejtohet Presidentit të Republikës së Kosovës, e cila mund të kthejë një përgjigje ose t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Peci. /atvlive.tv
Deklaratën e plotë të Faton Pecit nga seanca e Kuvendit të Kosovës, e gjeni në videon më poshtë: