Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, tha se ka mundësi të arrihet një marrëveshje tregtare me Mbretërinë e Bashkuar, duke shtuar se negociatat me qeverinë e Keir Starmer janë duke ecur mirë.
Pas shpalljes së tarifave të presidentit Trump më 2 prill, tregjet globale u tronditën, por tashmë janë duke u bërë përjashtime dhe tregjet kanë filluar të tregojnë shenja rikuperimi, shkruan BBC.
Vance tha se një marrëveshje SHBA-Mbretëri e Bashkuar është më e mundur për shkak të marrëdhënieve reciproke, duke përmendur se përkundër eksportit të lartë të Gjermanisë drejt SHBA-së, ky vend ka qenë më i vështirë për t’u hapur për eksportet amerikane.
Ai theksoi se administrata Trump është e angazhuar për një strategji afatgjatë për të ulur deficitin tregtar.
Vance gjithashtu shprehu një qëndrim pozitiv për Evropën dhe theksoi rëndësinë e forcimit të vetëmbrojtjes evropiane. Ai vuri në dukje se nuk është në interesin e asnjërës palë që Evropa të mbetet një vasal i sigurisë i SHBA-së.
Në lidhje me luftën në Ukrainë, Vance përsëriti qëndrimin e administratës se për të përfunduar luftën, duhet të kuptohen kufijtë strategjikë të të dyja palëve, duke theksuar se kjo nuk do të thotë mbështetje për pushtimin rus, por përpjekje për të kuptuar interesat e secilës palë.