Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Komuna e Prishtinës u akuzua që projekte gjigande e të rëndësishme për kryeqytetin i filloi pa leje paraprake.
Ministria e Kulturës më së shumti pati kritika rreth projektit në sheshin “Xhorxh Bush”, punimet për të cilin u pezulluan para pak javësh. Sekretari i Ministrisë, Bislim Bislimi, përmendi edhe disa projekte të tjera, që sipas tij, kanë filluar pa leje, pavarësisht se janë hapësira të mbrojtura me ligj.
“Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij dhe nisja e zbatimit të punëve në projektin e lidhjes së lagjes “Arbëria” me plafonë e Pallatit të Rinisë, është rasti i parë. Zhvillimi i projektit, prokurimit të tij në projektin e rrugës “Agim Ramadani”, zhvillimi i projektit prokurimit të tij dhe nisja e punës në rrugën “Rexhep Luci” – të gjitha këto ndërhyrje janë pa leje të shkruar”, tha Bislimi.
Ndërsa, në kohën kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kishte bërë publik kallëzimin penal ndaj inspektorit që ndërpreu punimet, drejtori I inspektoratit Imer Hakaj, përmes një postimi në Facebook kishte ofruar dorëheqje.
Dorëheqja, që nuk iu pranua nga ministri, Hakaj thotë se i erdhi nga presioni.
“Kërkesa ime zyrtare për largim nga pozita e drejtorit të inspektoratit ka qenë shkak i presionit i tejkalimit të kompetencës së kryetarit të komunës dhe drejtorëve kompetentë ndaj Inspektorit të trashëgimisë kulturore, dhe jam munduar dhe mundohem prapë të qëndroj në atë pikë për shkak se tash me ligjin për inspektime, unë jam përgjegjës për çdo tejkalim”, tha Hakaj.
Përplasjet mes komunës së Prishtinës e Ministrisë së Kulturës kulmuan pikërisht pas pezullimit të punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.
Tashmë dy palët kanë dorëzuar kallëzime penale me qëndrimet e tyre, në organet kompetente.