Përgatiti: Egzona Mema
Qysh në fillim tabela informon se segmenti I magjistrales që lidh Mitrovicën me Prishtinën nuk është lëshuar ende për qarkullim pasi që nuk kanë përfunduar ende punimet në të, mirëpo ky segment shfrytëzohet prapë nga automjetet.
Por ngasësit detyrohen ta ulin shpejtësinë pasi që në rrugë ka pengesa.
Ka kaluar aq kohë kur nga rrëshqitja e dheut njëra pjesë e këtij shiriti rrugor është dëmtuar saqë mbi dheun ka mbirë edhe bari. Këtu nuk ka asnjë sinjalizues tjetër përpos kësaj shenje që tregon se ka rrëshqitje dheu në këtë pjesë rrugore, e mundësia e vetme që u mbetet shoferëve ta kalojnë këtë pjesë është që ngasjen e makinës ta bëjnë në shiritin e tejkalimit.
Dheu që rrëshqiti në këtë pjesë të rrugës disa herë u bë shkas edhe për aksidente trafiku. Madje gjurmët nga ai i fundit i para dy ditëve ende shihen.
Ministria e Infrastrukturës gjatë ditës nuk i ka kthyer përgjigje ATV-së se kur do intervenohet në lirimin e rrugës.