Përgatiti: Armand Hoti
Kosova ishte adresë turistike për më shumë se 24 mijë vizitorë të huaj, gjatë shkurtit.
Disa preferuan t’i vizitojnë malet e Kosovës, e të tjerë zonat urbane.
Për ta stimuluar edhe më shumë turizmin në vend, të premten u mbajt edicioni i radhës i panairit ndërkombëtar të turnizmit “Kosova 2025”.
“Si një shtyllë kyçe e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së qëndrueshme, turizmi ka rolin themelor në lidhjen e njerëzve dhe kulturave në rajon dhe botë. Vetëm në këtë mandat kemi rritje prej 50% të numrit të turistëve krahasuar me vitet 2017–2020”, tha Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Panairin e shfrytëzuan edhe shtete që nuk e njohin Kosovën shtet, por edhe biznese që operojnë matanë oqeanit.
“Filluam me 60 kompani para katër vjetësh, ndërsa sot kemi mbi 340 biznese nga 16 shtete. Sot kemi përfaqësues edhe nga Kanadaja, Austria dhe Norvegjia”, tha kryetari i Unionit të Turizmit, Baki Hoti.
Hotelier nga Shqipëria, thonë se kosovarët vazhdojnë t’i kenë mysafirë kryesor.
Kishte edhe të atillë që panairin dy ditor e përdorën për të promovuar diçka që karakterizon vetëm shqiptarët.
Kosova e ka edhe një strategji përmes së cilës synohet zhvillimi i turizmit. Strategjia, që ka afat deri në vitin 2030, mes tjerash përcakton edhe zhvillimin e infrastrukturës turistike.