Përgatiti: Nora Luta
Pas refuzimit të palës serbe në janar të këtij viti të ulet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për çështjen e të pagjeturve, një takim i ri pritet të mbahet gjatë muajit prill.
Sipas kryetarit të Komisionit Qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti takimi i Komisionit të Përbashkët për të Pagjeturit do të mbahet brenda dhjetë ditësh.
Hoti, që të martën u takua në Prishtinë me përfaqësues të emisarit për dialogun Kosovë- Serbi Peter Sorensen, ka thënë se dy temat që do të shpalosen në Bruksel janë arkivat shtetërore të Serbisë dhe lokacionet për gërmime atje.
Hoti në një intervistë për ATV, tha se pret qasje ndryshe ndaj Serbisë nga strukturat e reja të BE-së.
Nëse edhe kësaj radhe, pala serbe refuzon të marrë pjesë dhe nuk ndëshkohet, sipas Hotit nuk do të kishte më kuptim as dialogu me Serbinë.
Hoti në shkurt të këtij viti, i kishte dërguar letër Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, duke kërkuar hapa konkretë për të detyruar Serbinë të zbatojë deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, dhe të hapë arkivat ushtarake, policore dhe të inteligjencës.