Presidentja e vendit, Vjosa Osmani takoi të hënën të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.
“Duke folur për situatën e sigurisë dhe zhvillimet në këtë sferë, presidentja Osmani theksoi tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të të gjithë rajonit përmes veprimeve të mirëkoordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Takimi Osmani – Prattipati vjen një ditë pas arrestimit të qytetarëve serbë në Gjakovë dhe Prizren, të cilët pretendonin se ndodheshin në pelegrinazh.
“Hetimet e deritashme kanë treguar se këto grupe kishin ndërlidhje me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, tha Presidenca duke theksuar se Osmani diskutoi me diplomaten amerikane edhe për arrestimin e serbëve.
Sipas njoftimit, Osmani theksoi se ky veprim është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme nga Serbia për destabilizimin e Kosovës, përmes kërcënimeve dhe dhunës.
Sipas Presidentes, kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.
“Më tej, Presidentja Osmani dënoi me vendosmëri këto veprime desabilizuese dhe të papranueshme, duke theksuar se Kosova nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikon paqen, rendin kushtetues dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim për katër të ndaluarit, të cilët akuzohen për armëmbajtje pa leje.
16 persona të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë u arrestuan të shtunën dhe të dielën në Gjakovë dhe Prizren, bëri të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të dielën.
Ai tha se katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë, raporton KP.