Kërkohet shkarkimi i dekanes së Fakultetit të Mjekësisë

Asistentët në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës kërkuan të enjten shkarkimin e Dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu.

Madje, këtë kërkesë e kanë dorëzuar edhe në organet më vendimmarrëse të UP-së.

Ata po pretendojnë se Manxhuka-Kërliu ka në plan të avancojë në pozitën e profesorit, disa asistentë me të cilët ka lidhje të afërta.

“17 emra pretendohen të avancohen në konkursin që pritet të hapet, të cilët janë klientë të dekanes…”, tha Artan Ahmeti, asistent në Fakultetin e Mjekësisë.

Drilon Vela thotë se dekania Kërliu ka bërë edhe një varg shkeljesh të tjera në punë.

“Në këtë situatë sigurisht që jemi të obliguar t’i ftojmë për ligjshmëri Fakultetin e Mjekësisë, e që më tepër tash kemi një komunikatë zyrtare nga UP, ku shumë qartë thuhet se procesi mësimor po realizohet në kundërshtim të këshillit drejtues. Me vendimin e shtimit të numrit të grupimeve nënkupton rritjen dhe fondin e profesorëve, domethënë bëhet fjalë për një varg shkeljesh, nuk po respektohet asnjë rregullore e UP-së…”, tha Drilon Vela, asistent në UP.

Madje, ata kanë kërkuar nga organet e hetuesisë të nisin hetime për keqpërdorim të pozitës.

“Kemi kërkuar nga krimet ekonomike të Policisë së Kosovës të zbarkojnë në Fakultetin e Mjekësisë për të gjitha këto parregullsi dhe këto keqpërdorime të pozitës që po i bën dekania vite me radhë”, tha Sokol Krasniqi, asistent në UP.

Por vetë dekania e Fakultetit nuk ka qenë e qasshme për mediat, lidhur me akuzat ndaj saj.

Lidhur me këtë situatë, ne provuam të kontaktojmë edhe dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë së UP-së, por nuk ishte i qasshëm.

Asistentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë bërë të ditur se nëse kërkesa e tyre për shkarkimin e dekanes nuk merret parasysh, atëherë do të organizojnë edhe protesta. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA