Maloku: UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare, roli i inspektorit të përgjithshëm s’ishte përpara dhjetorit të ‘98-ës

Dëshmitari Naim Maloku tha të mërkurën në Hagë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe struktura e saj ka qenë vullnetare.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, dëshmitari tha se roli i inspektorit të përgjithshëm nuk ishte përpara dhjetorit të 1998-ës kur u bë funksional edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nga ushtari i parë deri tek i fundit, e tërë struktura e UÇK-së ka qenë vullnetare”, tha Maloku.

Maloku u pajtua që statusin e veteranit e ka marrë edhe dikush që ka mundur ta mbajë uniformën për pak kohë sepse ka qenë në vullnetin e ushtarëve se sa dojnë të luftojnë dhe kur dëshirojnë që të largohen.

“Erdhën dy ushtarë nga Zvicra, kishin marrë pushim vjetor njëri një muaj tjetri një muaj e dy ditë, kur e kreu pushimin vjetor e la armën dhe u kthye në Zvicër. Ky tjetri e pati fatin tjetër, edhe dy javë kishte kohë, por u vra edhe sot është dëshmor”, tha Maloku.

Duke folur për Drejtorinë Operative, dëshmitari tha se u ngrit nga Bislim Zyrapi në dhjetor të 1998-ës dhe para saj nuk kishte ndonjë strukturë të tillë.

Më pas, atij iu prezantua dëshmia e 24 marsit 2025, në të cilën Maloku kishte folur për inspektorin e përgjithshëm të UÇK-së.

Sipas dëshmitarit, ky rol ka pasur vetëm funksionin e sugjerimit të masave për të evituar parregullsitë. Ai tha se raportimi duhej të bëhej tek shefi i shtabit. Veç kësaj, shtoi se nuk e di se sa ka mundur që të jetë funksionale në tërësi kjo strukturë.

Ai theksoi se pozita e sektorit të inspektorit të përgjithshëm nuk ishte në strukturën e UÇK-së përpara dhjetorit të 1998-ës.

Gjithashtu, Maloku tha se nuk kishte drejtori të veçantë për këtë pozitë dhe shtoi se Rexhep Selimi ishte epror i respektuar në ushtri, i cili përvojën e kishte fituar në luftë dhe jo akademi siç kanë qenë oficerÇt e karrierës në UÇK.

Në rolin e tij, dëshmitari tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me Rexhep Selimin në kohën kur u largua nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Nuk kam pas asnjë komunikim dhe as nuk e kam pa”, tha dëshmitari duke shtuar që vizitat që i bënte nëpër struktura, ia ka komunikuar vetëm komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit dhe jo Rexhep Selimit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA