​Hoti pret që Sorenseni të shtyjë përpara zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur beson se emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do ta trajtojë me seriozitet çështjen e personave të zhdukur si dhe do ta shtyjë përpara zbatimin e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.

Kështu thotë kryesuesi i këtij komisioni, Andin Hoti i cili gjatë ditës së djeshme ka takuar emisarin Sorensen, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë.

Hoti tha se nga diplomati danez i është premtuar se shumë shpejt do të zhvillohet takimi i Komisionit të përbashkët në mes delegacionit të Kosovës dhe atij Serbisë, takim ky i cili dështoi të mbahet në janar.

“Takimi ka qenë konstruktiv, mund të them se Sorensen ka premtuar se do të merret seriozisht me çështjen e personave të zhdukur e në veçanti me zbatimin e Deklaratës për Persona të Zhdukur e cila është në fushë të BE-së edhe po ashtu edhe me fillimin e takimeve gjë që nuk ka ndodhur deri tash për shkak të refuzimit të Serbisë, të Komisionit të Përbashkët, që është paraparë të mbahet më 15 janar. Sipas zotëri Sorensen pritet që shumë shpejt, që sapo të kthehet në Bruksel do të caktojë datën se kur do të mbahet takimi i radhës i Komisionit të përbashkët. Nuk di nëse do të jetë takim brenda këtij muaji, por unë besoj që do të jetë shumë shpejt”, u shpreh ai.

“Pak më mirë se që ishte, do të jetë“, tha Hoti kur u pyet se cilat janë pritshmëritë e tij pas takimit me emisarin evropian.

Ndërsa, qasja e plotë në arkivat serbe, qasja në lokacione e Serbisë e veçanërisht në Batajnicë, ishin disa nga kërkesat që kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur ia kishte shtruar në takim përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

“Kjo është përshtypja ime, se ai do të merret seriozisht me këtë çështje. Nuk dua t’ua ngris asnjë lloj shprese familjarëve, se kjo varet prej takimeve të radhës, prej qëndrimeve të Bashkimit Evropian, por varet edhe prej Serbisë. Por, unë besoj që pak më mirë se ishte, do të jetë. Është e vërtetë që ne kemi dy dokumente të rëndësishme të realizuara në kohën kur ka qenë zotëri Lajçak në pozitën e këtij tash, por të dyja dokumentet nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat, gjetje të personave të zhdukur. Dhe të dyja dokumentet nuk kanë arritur ta bindin Serbinë, pavarësisht që ajo vetë i ka pranuar se duhet të zbatohen. Po mendoj se Sorensen, me aq sa diskutuam dje do ta shtyjë këtë agjendë përpara zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur, qasjen e plotë në arkiva, qasjen e plotë në lokacione në territorin e Serbisë dhe në veçanti e ceka Batajnicën sepse kemi shumë interes të rikthehemi në Batajnicë”, theksoi ai.

Hoti për KosovaPress deklaron se takimi i tij me Sorensenin është përgjigja e përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas karshi letrës që Hoti ia kishte dërguar javë më parë.

“Unë mendoj se zotëri Lajçak, Komisionin e Përbashkët që e kemi themeluar bashkë ai dhe të tjerët e ka lexuar ndryshe, e ka interpretuar ndryshe, Komisioni i Përbashkët e ka një fuqi shumë të madhe sepse udhëhiqet nga BE-ja dhe ka qenë një tendencë e vogël që t’i ulët, zbritet vlera që e ka. Mendoj se takimi im me zotëri Sorensen është përgjigje e zonjës Kallas. Duhet të thekosjmë se zotëri Lajçak, pavarësisht bashkëpunimit në Bruksel ose takime të ndryshme, ka qenë disa herë në Kosovë gjatë 4 viteve të fundit dhe asnjëherë nuk është takuar me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur. Dhe mendoj se takimi i parë i zotëri Sorensen në Kosovë krahas liderëve të vendit me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur e tregon rëndësinë e vetë dhe përgjigjen e zonjës Kallas”, tha ai.

Në Kosovë vazhdojnë të jenë të pagjetur 1.600 persona të zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ka marrë detyrën në shkurt të vitit 2025, duke pasuar ish-emisarin e BE-së për dialog, Mirosalv Lajçak.

Në kuadër vizitës së tij të parë në Kosovë, emisari evropian u takua edhe me krerët shtetëror dhe liderët e partive opozitare.

Ai vizitoi edhe Institutin e Mjekësisë Ligjore prej ku tha se zbardhja e fatit të personave të zhdukur është prioritet ne dialogun që ai do ta udhëheqë./kp

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA