ZPS propozon pranimin e disa provave “që demonstrojnë nivelin e lartë të organizmit të UÇK-së”

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një mocion për pranimin në prova materiale dokumente që pretendohet se janë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Qeverisë së Përkohshme në Zonën e Dukagjinit.

Në mocionin e ZPS-së të dorëzuar më 10 mars 2025, thuhet se provat e propozuara mbështesin dhe plotësojnë dëshmitë e dëshmitarëve dhe të dokumenteve që si fakte së bashku demonstrojnë nivelin e lartë të organizmit të UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, duke përfshirë Zonën Operative të Dukagjinit gjatë periudhës së aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas ZPS-së, këto dokumente mbështesin faktet që anëtarët e UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit vepronin nën autoritetin dhe sipas udhëzimeve të të akuzuarve, Shtabit të Përgjithshëm dhe më vonë sipas Qeverisë së Përkohshme.

Po ashtu, ata pretendojnë se këto dokumente tregojnë se anëtarët e asaj që ata e quajnë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, anëtarët e saj duke përfshirë të akuzuarit dhe disa anëtarë të UÇK-së që vepronin në Zonën e Dukagjinit si Lahi Brahimaj, kanë ndarë qëllim të përbashkët kriminal të cilin e realizuan personalisht dhe përmes strukturave që i kishin vendosur.

Zona Operative e Dukagjinit, sipas ZPS-së përfshinë Deçanin, Pejën, Gjakovën dhe pjesën e Komunës së Istogut e Klinës. Sipas tyre, kjo zonë shtrihej në rrugën kryesore të furnizimit nga Shqipëria dhe për këtë arsye ishte zonë strategjike e rëndësishme për të dy forcat kundërshtare (UÇK-në dhe palën serbe).

Sipas mocionit, ZPS-ja thotë se provat e propozuara, dëshmitë e dëshmitarëve si dhe faktet tregojnë se gjatë periudhës se aktakuzës, disa anëtarë të UÇK-së, duke përfshirë Lahi Brahimajn, nënkomandantin e Zonës së Dukagjinit- Nazmi Brahimajn, shefin e Inteligjencës- Faton Mehmetajn dhe komandantin e Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza”- Idriz Balajn, identifikuan, morën në pyetje, kërcënuan, arrestuan, keqtrajtuan dhe vranë persona që i perceptuan si bashkëpunëtorë.

Veç kësaj, Prokuroria pretendon se veprimet e ngjashme këta persona i bënë edhe ndaj anëtarëve të LDK-së, FARK-ut, serbëve, romëve dhe personave të tjerë në dhe rreth Jabllanicës, si dhe vende të tjera të kësaj zone.

Prokuroria pretendon se gjatë periudhës së aktakuzës, të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm ishin të pranishëm në Jabllanicë dhe në vende të tjera të Zonës Operative të Dukagjinit duke bashkëvepruar dhe dhënë udhëzime këtyre anëtarëve të UÇK-së.

Në mocion, thuhet se provat e Prokurorisë tregojnë se Lahi Brahimaj ishte komandant në Jabllanicë si dhe vepronte si lidhës me Shtabin e Përgjithshëm në Zonën e Dukagjinit. Ndërsa, për Ramush Haradinajn ata thonë se ishte komandant i Shtabit të Gllogjanit.

Duke shpjeguar në kronologji, Prokuroria pretendon se në fillim të ’98-ës, veçanërisht pas sulmit të 24 marsit 1998 tek familja e Haradinajt, shtabet në Jabllanicë dhe Gllogjan u koordinuan për zgjerimin dhe konsolidimin e kontrollit mbi zonat tjera.

Si rrjedhojë, thuhet se në fund të majit 1998 u formua Shtabi Rajonal i Dukagjinit dhe gjatë javëve në vazhdim mbajti takime të rregullta duke marrë raporte dhe duke dhënë udhëzime për shtabet lokale. Po ashtu, sipas ZPs-së, në këto takime është diskutuar edhe për masa disiplinore dhe kontrollim të lëvizjeve e veprimeve të atyre që perceptoheshin si tradhtarë ose të dyshimtë.

Më pas, në këtë mocion thuhet se u themeluan një spital në Irzniq ku një viktimë do të vdiste më vonë nga rrahjet e vazhdueshme që i kishte marrë në qendrën e ndalimit në Jabllanicë. Ky Shtab, sipas Prokurorisë, autorizoi udhëtime, siguroi armë, logjistikë, shërbime si dhe caktoi e transferoi ushtarë.

Veç kësaj, dëshmitë e propozuara sipas ZPS-së tregojnë se në pranverën e ’98-ës, shtabet lokale në zonë raportonin për punën e tyre në përputhje me urdhrat e udhëheqësve të tyre lidhur me disiplinën, identifikimin dhe masat e marra ndaj dezertorëve, personave të dyshimtë, spiunëve.

“Duke marrë parasysh ritmin dhe gjerësinë e zgjerimit të UÇK-së, krijimi i Zonës Operative Dukagjin u diskutua në takimet e Shtabit Rajonal në mesin e qershorit 1998 dhe Shtabi i Komandës i Zonës Operative Dukagjin u zgjodh në një takim më 23 qershor 1998, të cilin e morën pjesë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm Lahi BRAHIMAJ dhe Rexhep SELIMI (Agron, 10)”, thuhet në mocion.

ZPS-ja tregon se sipas dëshmive që i ka propozuar, Zona Operative e Dukagjinit përbëhej nga komandanti Ramush Haradinaj. Ndërsa, sipas tyre Shtabi i Përgjithshëm nuk ishte i lidhur me propozimet dhe përzgjedhjet e komandave të zonave.

Megjithatë, thuhet se pasi Shtabi i Përgjithshëm mësoi se oficeri i FARK-ut, Tahir Zemaj ishte përzgjedhur për ta zëvendësuar Ramush Haradinajn si komandant i Zonës, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Lahi Brahimaj dhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm ndërhynë personalisht dhe e rivendosen sërish Haradinajn në pozitën paraprake.

Sipas Prokurorisë, ky takim ka ndodhur më 2 shtator 1998

Ndërsa, thuhet se Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit miratoi dhe shpërndau rregullore dhe politika që pranonin autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm dhe kërkonin identifikimin dhe ndëshkimin e personave që perceptoheshin si kolaboracionistë.

Brigadat nga 131 deri 137 sipas ZPS-së ishin operacionale në këtë zonë në përputhje me vendimet e Shtabit të Përgjithshëm gjatë periudhës së aktakuzës dhe se komandantët ishin propozuar në bazë të një plani struktural të ofruar nga kjo strukturë kryesore.

“Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, përfshirë Rexhep SELIMI, ishin të përfshirë në diskutimet dhe vendimet në lidhje me emërimet e komandantëve të brigadave”, thuhet në mocionin e ZPS-së.

Sa i takon Shërbimit të Inteligjencës, Policisë Ushtarake dhe Njësisë Speciale në këtë zonë, Prokuroria thotë se në sektorin e parë udhëheqës ishte Faton Mehmetaj, në të dytën Faton Nimonaj dhe në të tretën Idriz Balaj.

“Këto emërime u njoftuan dhe u miratuan nga Shtabi i Përgjithshëm”, thuhet në vijim në mocionin e ZPS-së, duke shtuar se ato u krijuan nën drejtimin e komandës së Zonës Operative të Dukagjinit.

Këto tri sektore, sipas ZPS-së, ishin përgjegjëse për koordinimin me njëra-tjetrën komandën e Zonës, brigadat, masat disiplinore, forcimin e urdhrave, hetime, arrestime, ndalime, marrje në pyetje ndaj të të dyshuarve si bashkëpunëtorë me armikun dhe kundërshtarëve të tjerë.

Ndërsa, në verën e ’99-ës, sektori publik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Policia Ushtarake e UÇK-së, anëtarët e Shërbimit të Inteligjencës dhe Njësia speciale në Zonën Operative të Dukagjinit vazhduan funksionet e njëjta.

“Dëshmitë e pranuara dhe të propozuara ilustrojnë nivelin e bashkëpunimit midis këtyre njësive dhe procesin për identifikimin dhe targetimin e kundërshtarëve. Shërbimet e Inteligjencës të Zonës Operative Dukagjin prodhuan shumë raporte të shkruara, duke përfshirë një seri raportesh të numëruara nga Sektori i Inteligjencës në Zonën Operative Dukagjin, dy prej të cilëve u sekuestruan nga shtëpia e Rexhep SELIM”, thuhet në mocionin e ZPS-së.

Sipas ZPS-së, këto raporte përmbanin informacione për ngjarjet në këtë zonë, masat disiplinore, akuzat dhe veprimet ndaj të dyshuarve si bashkëpunëtorë me armikun, anëtarëve të LDK-së, FARK-ut, serbë, romë, duke përfshirë edhe viktimat e ndaluara dhe keqtrajtuara në vendet e ndalimit në Jabllanicë, Kukës dhe Cahan.

“Ky informacion shpërndahej, përfshirë në Komandën e Zonës Operative Dukagjin dhe brigadat. Pas kësaj, ndërmerreshin veprime të tjera, duke përfshirë pas referimeve të shkruara nga shërbimet e inteligjencës për “masat e nevojshme” kundër kundërshtarëve të caktuar. Siç është regjistruar në dëshmitë e pranuara dhe të propozuara, këto “masa të nevojshme” përfshinin ndalimin, pyetjen, keqtrajtimin dhe ekzekutimin”, thuhet në mocion.

Dëshmitë e propozuara, sipas mocionit të ZPS-së, përmbajnë nënshkrime, numra refernece, vula dhe shenja që konfirmojnë natyrën zyrtare të tyre.

Sipas ZPS-së, një numër i konsiderueshëm i provave të propozuara që përfshijnë periudha të ndryshme kohore janë nënshkruar, përgatitur dhe janë lëshuar nga i njëjti individë ose kanë të bëjnë me një individ.

Sipas tyre, dokumentet administrative, operacionale dhe të inteligjencës ndjekin të njëjtin ose informacionin e ngjashëm duke përdorur shpesh edhe formate të ngjashme ose formate krejtësisht standarde.

“Një numër i konsiderueshëm i ekspozitave të propozuara janë të lidhura dhe/ose mbështeten nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe ekspozita të tjera të miratuara dhe të propozuara”, thuhet në mocionin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, shumica e provave të propozuara janë sekuestruar nga autoritete serbe nga bazat dhe anëtarët e UÇK-së gjatë dhe pas periudhës së aktakuzës. Po ashtu, disa janë sekuestruar nga ZPS-ja në shtëpinë e Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Andaj, sipas ZPS-s paneli duhet t’i pranojë provat e propozuara.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

Si është krijuar Google Chrome?

spot_img

LAJME TË TJERA