Ish-deputetja Shqipe Pantina, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pajtohet me vlerësimin e Avdullah Hotit për situatën në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke përmendur nevojën për hetim të brendshëm dhe ndëshkim të përgjegjësve për parregullsitë në procesin zgjedhor.
Sipas saj, problemet gjatë zgjedhjeve të brendshme kanë dëmtuar imazhin e partisë dhe kërkojnë një auditim të brendshëm për të identifikuar përgjegjësit.
“Unë me dy gjëra pajtohem me zotin Hoti: E para, që kanë ndodhur disa probleme në procesin zgjedhor brenda LDK-së, të cilat i kanë hedhur një hije jo të mirë gjithë procesit. Për këtë arsye, mendoj se LDK-ja duhet ta hulumtojë nga brenda situatën, ndoshta edhe të kryejë një auditim për të parë çfarë ka ndodhur dhe kush ka qenë i përfshirë në këto parregullsi”, tha Pantina.
Ajo tha se individët që kanë manipuluar numrat duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe politike.
“Ata që drejtpërdrejt kanë manipuluar me numra, duhet të japin përgjegjësi para ligjit. Nëse ka individë që kanë urdhëruar ose kanë kërkuar manipulime të tilla, ata duhet të japin përgjegjësi edhe politikisht”, shtoi Pantina.
Deklaratën e plotë të Shqipe Pantinës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: