Përgatiti: Alma Hysenaj
Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi është arrestuar të martën nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Hetuesit e krimeve ekonomike Prokuroria zbarkuan qysh në mëngjes në zyrët e Krasniqit, nga ku morën edhe dëshmi dhe prova materiale.
Përveç zyrave në KRU Gjakovës, Prokuroria speciale në bashkëpunim me krimet ekonomike bastisën edhe pronat e Krasniqit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë speciale gjatë bastisjeve në këto dy lokacione janë sekuestruar një Lap-Top, një Telefon mobil, 22.205,00 Euro, Barka Ranier Wit, si dhe dy kontrata qe ndërlidhen me rastin.
Krasniqi dyshohet për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik lidhur me një tender të Ndërmarrjes në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të ndërmarrjes.
Hasan Krasniqi është në krye të këtij institucioni që nga janari i vitit 2022, derisa paraprakisht ishte kandidat për asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo nuk është hera e parë që ai arrestohet. Edhe në gusht të vitit të kaluar ai ishte arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.






