Hirësi Joan Pelushi të dielën u zgjodh Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Zgjedhja e Kryepeshkopit Joan u bë nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse, pas Liturgjisë Hyjnore të së dielës, që për besimtarët ortodoksë përkon me të dielën e dytë të Kreshmës, shkruan ATSH.
Hirësi Joani u prit me një ceremoni të veçantë dhe hyri në Katedralen “Ngjalla e Krishtit”, ndërsa kambanat e saj dhe ato të të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri, ranë njëkohësisht në nder të këtij momenti historik, përcjell KosovaPress.
Pas shpalljes së emrit të tij, Kryepeshkopi i ri mbajti një fjalë të shkurtër, që u prit nga dhjetëra besimtarë të pranishëm me duartrokitje dhe thirrjet “i denjë”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka uruar Hirësinë e Tij Joan Pelushi për zgjedhjen si Kryepeshkop i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare.
Në një postim në rrjetet sociale Rama uron që Zoti ta mbrojë Hirësinë e Tij Pelushi e ta udhëzojë gjithnjë në misionin e Tij të udhërrëfyesit të grigjës së besimtarëve ortodoksë”.
“Me kënaqësinë e rrallë të zgjedhjes së një shqiptari ndër më të mirët në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si edhe me urimin e posaçëm për Hirësinë e Tij, Kryepeshkopin Joan Pelushi, që Zoti ta mbrojë e ta udhëzojë gjithnjë në misionin e Tij të udhërrëfyesit të grigjës së besimtarëve ortodoksë”, shkruan Rama.