PËRGATITI: ARMAND HOTI
Edhe pse është pastruar herë pas here, kjo zonë e fshatit Ribar i Madh në Lipjan, është rikthyer në deponi ilegale mbeturinash.
Lipjani prin në nivel vendi, me gjithsej 86 deponi të tilla, në bazë të të dhënave të 2023-ës të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit. Statistika më të reja nuk ka. Në gjithë Kosovën, në këtë periudhë janë identifikuar 746 sosh.
Për numrin e deponive ilegale në komunën e Lipjanit, ne kërkuam të marrim përgjigje edhe nga autoritetet lokale. Megjithatë, në këtë komunë nuk qenë të qasshëm.
Në këto hapësira vërehen kryesisht materiale ndërtimore dhe të amvisërisë.
Komuna e Malishevës radhitej e dyta në listën e komunave me më së shumti deponi ilegale. Kryesisht këto deponi përbëhen nga mbeturinat që derivojnë nga ndërtimi dhe rrënimi.
“Nuk mund të them se vijnë nga jashtë…janë kryesisht familjare. Insitucioni i komunës ka marrë masat e veta dhe ka arritur që gradualisht të eleminoj këto deponi. Operatori i përzgjedhur ka eleminuar edhe 112 deponi të tjera ilegale”, tha Valmir Gashi, zëdhënës në Komunën e Malishevës.
Deponi ka edhe në zona urbane, edhe në ato rurale, si në fshatrat Drenoc e Tërpez. Madje edhe skaj lumit.
Një Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Mjedisit, përcakton se deponitë e mbeturinave inerte apo atyre komunale, mundë të ndërtohen së paku 500 metra larg shtratit të lumit, apo brixheve të liqeve.
Megjithatë, më 2023 pati rreth 1500 deponi ilegale më pak se në vitit 2018.
Në janar, zyrtarisht ka hyrë në fuqi Strategjia për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave 2024-2035.