Popullsia në Bullgari e cila arriti deri në 9 milionë në vitin 1985, ka qenë në rënie të vazhdueshme gjatë 40 viteve të fundit duke shkuar në 6.4 milionë për shkak të niveleve të ulëta të lindjeve dhe rritjes së emigracionit, ndërkohë që edhe përpjekjet e qeverisë për ta kthyer këtë trend kanë qenë të pasuksesshme.
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Statistikave Bullgare (NSI), popullsia në vend ishte 8.948.000 në vitin 1985, ndërkohë ajo është ulur me rreth 30 për qind dhe në vitin 2023 pësoi rënie në 6.445.000, shkruan Alsat.m.
Sipas të dhënave të NSI, në vitin 2023 në vend kanë lindur 57 mijë foshnja dhe kanë humbur jetën 101 mijë persona. Fakti që vdekjet kanë qenë më të mëdha se lindjet në 25 vitet e fundit është shfaqur si faktori më efektiv në rënien e popullsisë së vendit.
Përveç kësaj, migrimi nga Bullgaria drejt vendeve të tjera u përshpejtua pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE) në fillim të vitit 2007 dhe ka qenë faktor në humbjen e popullsisë në vitet e fundit.
Megjithëse Bullgaria mori shumë masa për të reduktuar dhe rikthyer humbjen e popullsisë, ajo nuk mundi të arrinte rezultatin e dëshiruar.
Në këtë kuadër në vitin 2012 nga qeveria u miratua “Strategjia Kombëtare e Përditësuar për Zhvillimin Demografik të Popullsisë” që mbulon periudhën 2012-2030.
Në vitin 2019 u miratua strategjia e cila synon të rrisë përfshirjen e individëve të moshës 55-vjeç e lart në jetën aktive shoqërore, transmeton KosovaPress.
Në vitet e fundit qeveria ka synuar të inkurajojë kthimin e emigrantëve dhe të zhvillojë politikat e industrializimit dhe strehimit duke shpërndarë më shumë burime në zonat rurale ku popullsia ka shënuar rënie.
Bullgaria që nga vitet 1960 zbaton një sistem të mbështetjes shtetërore për familjet dhe fëmijët, por burimet që janë ndarë për këtë program janë të pamjaftueshme në krahasim me vendet e tjera të BE-së.