Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Komuna e Prishtinës po planifikon një projekt në pronë që nuk i përket asaj, duke mos respektuar procedurat ligjore dhe duke rrezikuar që çështja të përfundojë në gjykatë.
Sipas tij, përveç mungesës së lejeve të nevojshme, një pjesë e punimeve janë planifikuar në prona që nuk janë në pronësi të komunës.
“Hiq këtë pjesën e lejes që po mungon ose pëlqimi nga organet kompetente të Ministrisë së Kulturës, aty janë planifikuara punë edhe në prona të cilat, pronësia e të cilave nuk është e komunës. Do të thotë, komuna po don me bo një projekt në tokë të huaj”, tha Sveçla.
Ai tha se disa prej këtyre pronave janë në menaxhim të AKP-së dhe Radio Kosovës, ndërsa disa lokale private afër shkollës “Faik Konica” pritet të rrënohen pa pëlqimin e pronarëve.
“Një pjesë e atyre pronave janë të Radio Kosovës dhe menaxhohen nga AKP-ja. Nga informatat që i kemi dhe nga kontaktet që kemi arritur t’i vëmë, Radio Kosova e as AKP-ja nuk janë pyetur fare për këtë projekt. Po ashtu, sipas disa vendimeve gjyqësore, aty afër shkollës ‘Faik Konica’ janë disa lokale që janë pronësi private, dhe me projektin aktual të sheshit Xhorxh Bush, parashihet që edhe ato lokale të rrënohen. Neve na kanë kontaktuar tashmë disa prej pronarëve aty dhe na kanë njoftuar që fare nuk janë kontaktuar nga komuna”, u shpreh Sveçla.
Deklaratën e plotë të Gëzim Sveçlës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: