Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka dorëzuar padi për shfuqizimin e rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës.
Në një konferencë për media, koordinatori i qendrës për çështje gjyqësore, Liridon Salihu ka deklaruar se presin nga Gjykata Supreme që të vendosë lidhur me ligjshmërinë e rregullores së Prishtina Parkingut.
Pas analizimit të rregullores, GLPS ka arsyetuar se disa dispozita bien në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe janë të mangëta në përmbajtje.
“Qendra për raste gjyqësore strategjike, platformë e grupit për studime juridike dhe politike sot ka dorëzuar në Gjykatën Supreme të Kosovës padinë kundër Komunës se Prishtinës. Me këtë padi kemi kërkuar nga Gjykata Supreme që të vendosë lidhur me ligjshmërinë e rregullores së Prishtina Parkingut. Kjo rregullore e cila ka hyrë në fuqi me datën 22 janar 2024, ndërsa me 5 prill, 2024 GLPS pas analizimit të këtij akti nënligjor ka vlerësuar se ka dispozita të tilla që bien në kundërshtim me ligjet në fuqi, e po ashtu rregullorja është e mangët sa i përket përmbajtjes së saj. Te gjitha këto pretendime tona i kemi nisur përmes një kërkese drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe asamblistëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës që t’i adresojnë këto dhe të hynë në procedurën e plotësim ndryshimit të rregullores. Duke qenë se as komuna e as kryetari, Përparim Rama nuk patën vullnet të hynë në procedurën e plotësim ndryshimit të rregullores dhe t’i evitojnë të gjitha këto mangësi që ka rregullorja, sot po dorëzojmë padinë në Gjykatën Supreme”, tha ai.
GLPS ka kërkuar që Gjykata Supreme të shfuqizojë tërësisht rregulloren dhe më pas të shohim nëse Komuna do të reflektojë për të bërë ndryshimet e nevojshme.
“Në këtë padi i kemi dy pjesë që ne ja kemi ofruar Gjykatës Supreme. E para është se me këtë padi kemi arsyetuar nëntë nene të rregullores te cilat bien në kundërshtim me diku rreth gjashtë ligje të cilat i kemi në fuqi. Përveç këtyre neneve kemi ofruar edhe disa argumente shtesë, se edhe vet miratimi i kësaj rregullore nuk i ka ndjekur procedurat e duhura, dhe përmbajtja është e mangët. Janë nenet të cilat i japin kompetencë Prishtina Parkingut qe të vendosë bllokadat ndaj veturave të cilat vendosen të parkohen në parkingje dhe nuk e kryen pagesën, po ashtu edhe çështja e konfiskimit të këtyre veturave e cila parashihet me rregulloren në fjalë. I është dhënë po ashtu kompetencë Prishtina Parkingut që të menaxhojë edhe me hapësirat të cilat nuk janë të destinuara për parkingjet. Një shkelej tjetër është se rregullorja më fjalë nuk ka dhënë siguri të plotë sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale që aplikojnë për leje Prishtina Parking…Kemi kërkuar Gjykatës të shfuqizojë në tërësi këtë rregullore më pas të shohim nëse komuna reflekton”, shtoi ai.
Salihu po ashtu nënvizoi se para se të hynte në fuqi kjo rregullore Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të bëjë rishikimin e rregullores, mirëpo siç tha ai, komuna kishte mbetur e heshtur dhe nuk e kishte marrë parasysh.
Ai tha se padisë ia kanë bashkangjitur edhe raportin e fundit që ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit, raport ky që vë në theks se hartim i kësaj rregullore nuk është bërë sipas një analize të bazuar.