Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksoi në një intervistë për gazetën gjermane Welt am Sonntag, se Evropës i nevojiten buxhete më të larta për mbrojtjen për të siguruar stabilitetin e kontinentit.
Shefi i NATO-s theksoi se rritja e buxheteve është e pamjaftueshme pa u shoqëruar me një rritje të shpejtë të prodhimit të pajisjeve ushtarake.
“Do të duhet të shpenzojmë më shumë për sigurinë tonë”.
“Por gjithashtu, duhet të rrisim shpejt prodhimin tonë të mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut. Për shumë kohë, kemi prodhuar shumë pak,” tha ai.
NATO, që përfshin shumicën e vendeve evropiane, si dhe Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, ka theksuar nevojën për municione, anije, tanke, avionë, satelitë dhe dronë.
Sipas Rutte, është e domosdoshme që të rritet prodhimi i këtyre pajisjeve për të përballuar kërcënimet e mundshme dhe për të ruajtur sigurinë e Evropës.
Vendet evropiane janë duke ecur me shpejtësi për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj, pas vendimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të ngrirë ndihmën ushtarake për Kievin.
Në këtë kontekst, ligjvënësit gjermanë po shqyrtojnë ndryshime të mëdha në rregullat e huamarrjes shtetërore për të financuar sektorin e mbrojtjes me një fond prej 500 miliardë eurosh.
Pas 13 marsit, këto masa pritet të miratohen nga parlamenti që po largohet para formimit të një parlamenti të ri më 25 mars.
Në një takim të fundit të liderëve të Bashkimit Evropian, u diskutua mbështetja për kreditë e përbashkëta të mbrojtjes për vendet anëtare dhe mundësia e lehtësimit të rregullave të buxhetit për të mundësuar shpenzime më të mëdha për mbrojtjen.