Zyra e Kryeministrit sërish ka reaguar lidhur me çështjen e dëshmisë së kryeministrit Albin Kurti, në Prokurorinë Speciale, të cilën ka refuzuar ta japë të hënën siç e kishte urdhëruar gjykata.
Zyra e Kurtit thotë se kjo çështje është ‘politizuar’ dhe përsëriti se Kurti është i gatshëm të japë dëshminë, por me kushtin që ajo të merret në zyrën e tij.
“Duam të jemi të qartë, Kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar të dëshmojë. Përkundrazi, ka ofruar bashkëpunim të plotë për të ndihmuar drejtësinë të kryejë punën e saj me integritet.”- thuhet në reagimin e zyrës.
Për më tepër, ZKM-ja tha se deri tash nuk kanë reaguar për ‘debatin publik’ për shkak të respektit për procesin ligjor, për të cilin thotë se duhet të zhvillohet pa ndërhyrje të jashtme.
Edhe në këtë reagim ngrehin paralele me raste në shtete tjera, këtë herë veç SHBA-ve, shkruajnë edhe për Francën.





