Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Maqedonia e Veriut ka një interes të madh për forcimin e lidhjeve ekonomike me Kosovën, pasi është shteti i vetëm me të cilin ka bilanc pozitiv tregtar.
Sipas tij, mbledhja e parë mes dy qeverive ishte një sinjal i qartë politik për përkushtimin ndaj bashkëpunimit ekonomik dhe infrastrukturor.
“Me vetë faktin që mbledhjen e parë mes dy qeverive e pati pikërisht me Republikën e Kosovës, kjo vetë më vete është një mesazh politik se ka një angazhim serioz dhe qëllime të sinqerta në raport me përmirësimin e këtyre raporteve jo vetëm politike, por edhe ekonomike dhe infrastrukturore”, tha Gashi.
Ai tha se ndërtimi i rrugës Shkup-Bllacë është vonuar për më shumë se dy dekada, por tashmë procesi ka nisur dhe pritet të përfundojë.
“Është për keqardhje që të përmendim edhe ta marrim në gojë rrugën Shkup-Bllacë, por fatkeqësisht për 22-23 vite është përmendur nëpër fushata dhe nuk është bërë. Kjo Qeveri ka intenca serioze, procedurat kanë filluar dhe jam shumë i bindur që shumë shpejt do të fillojnë edhe pjesa teknike e shpalljeve, që të përfundohet edhe ai segment”, u shpreh Gashi.
Gashi tha se marrëdhëniet me Kosovën po avancojnë, duke u larguar nga paragjykimet dhe barrierat e së kaluarës.
“Është interes i Maqedonisë së Veriut që të lidhet me Kosovën, për shkak se ne si shtet, me të vetmin shtet që kemi bilanc pozitiv në raportet eksport-import është Republika e Kosovës. Mendoj se dalëngadalë po hiqen mjegullat, po thyhen barrierat dhe po largohen paragjykimet për raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës”, theksoi Gashi.
Deklaratën e plotë të Afrim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: