Oda Ekonomike Shqiptare diskutoi të martën mbi mundësitë e investimeve përmes teknologjisë dhe fondeve të dedikuara për projekte ekonomike, veçanërisht në hapësirat shqiptare. Gjithashtu, u shqyrtuan mundësitë e përthithjes së fondeve nga BE-ja, modeli i vendeve të Unionit të Shteteve Afrikane dhe lobimi ndërkombëtar për njohje të reja për Kosovën, raporton KosovaPress.
Në konferencën për media me temën “Konferenca Ndërkombëtare-Kosovë-Shqipëri-Maqedoni”, i është kërkuar qeverive më shumë bashkëpunim për të mbështetur çështjet e lartpërmendura.
Po ashtu është theksuar edhe përkrahja më e madhe që duhet të japë shteti për të hapur më shumë mundësi për eksport.
Kryetari i Odës Ekonomike Shqiptare në Kosovë, Hyzer Gashi ka thënë se diskutimi i sotëm jep mundësi që të bashkohet fuqia ekonomike që posedojnë shqiptarët gjithandej. Ndërsa, ka thënë se “qeveria duhet të zgjohet nga gjumi dhe të krijojë fuqi më të madhe ekonomike” e po ashtu edhe t’i mbështesë bizneset më tepër.
“Kjo platformë na jep një mundësi që ta bashkojmë fuqinë ekonomike që posedojnë shqiptarët gjithandej. Konferenca është e para e këtij lloji që të mbështesim njëri-tjetri për arsyeje se koha ikën shumë shpejt dhe fuqinë që kemi sot mund ta koncentrojmë në funksion të zhvillimit ekonomik në vendet ku jetojmë. Kjo platformë ju duhet të gjithëve pasi që nuk ka asnjë barrierë tjetër përveç te thithja e këtyre fondeve, investimeve që janë teknologji të reja, sigurisht bashkëfolësit do i shpengojnë në detaje, dhe t’i zgjojmë nga gjumi qeveritë që nganjëherë janë në ngjarje që neve nga bota e biznesit do të mund të merrnim rolin prirës, pasi që edhe vetë krijojmë fuqinë ekonomike të vendeve nga vijmë”, tha Gashi.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe biznesmeni në nivel ndërkombëtar dhe ambasadori në unionin afrikan për 35 vende në OKB, Avni Nasufoski, i cila tha se për të marrë mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë, nevojiten reforma.
“Sot, nuk jemi vetëm ne në Ballkan. Ka ardhur epoka e artë e Ballkanit. Por, nëse duam që partnerët ndërkombëtarë të na mbështesin, duhet patjetër të bëjmë reforma. Për çfarë arsye? Në aspektin politik dhe ekonomik, ju e dini tashmë – mes jush ka ekspertë të ekonomisë – se Bashkimi Evropian ka alokuar 6 miliardë euro donacione. Por çdo donacion kërkon reforma. Kjo do të thotë se projektet duhet të përfundojnë dhe BE-ja i rimburson deri në qindarkën e fundit. Dhe, unë e di mirë për çfarë po flas. Në vitin 2003, për fat të keq, Kosova arriti të përfitojë vetëm rreth 80 milionë euro donacione nga Bashkimi Evropian… Shpresoj që së bashku të gjejmë një terren të përbashkët për bashkëpunim me qeveritë e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës”, ka thënë ai.
E për energjinë elektrike foli presidentja e PPS Universal Distrib, Btissam Daif, shkruan KosovaPress.
“Në zonat rurale, por edhe në zona të tjera, mund të vërejmë se sot energjia elektrike është e kushtueshme, inxhinieria civile është e kushtueshme, dhe të kesh rrugë të ndriçuara mbetet një çështje e sigurisë për popullsinë. Në këtë kontekst teknologjik, mund të mendojmë edhe për një tjetër teknologji mjaft revolucionare, e cila tashmë ekziston në më shumë se 85 vende për mbi 35 vjet. Bëhet fjalë për një fertilizues hidro-retentiv, të quajtur ‘Barbarie Plante’, i cili ndihmon në arritjen e sovranitetit ushqimor. Ky është një fertilizues që është testuar në disa nga zonat më të thata të botës dhe ka dhënë rezultate të shkëlqyera në më shumë se 85 vende, me raporte të konfirmuara nga Banka Botërore për Ushqimin dhe nga shtetet që kanë arritur të zhvillojnë bujqësinë e tyre falë kësaj teknologjie”, tha ajo.
Po ashtu edhe Safet Sadiku nga Oda Ekonomike Shqiptare ka theksuar nevojën e bashkëpunimit direkt të qeverive për të shfrytëzuar modelin e vendeve në zbatimin e fondeve.
“Duke shfrytëzuar modelin e vendeve të ndryshme, qoftë edhe ndonjë vendi këtu nga rajoni, fondet e caktuara që kemi kontakte me to, zakonisht kërkojnë direkt bashkëpunim me qeveritë e vendit, gjë që tek ne, në vendet e Ballkanit ka pasur vështirësi kjo formë. Tani forma indirekte është projekti privat, qoftë edhe përmes formës partneritet publiko-privat ose personat që kanë dokumentacionin gati. Zakonisht është aktualizuar energjia e gjelbër ose edhe energji solare, diellore, dhe forma tjera të energjisë të cilat për fondet e caktuara janë atraktive dhe shumë më funksionale”, tha ai.