Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi ky i fundit ka deklaruar se mbi 10 milionë euro do të shkojnë në xhepin e përmbaruesve nga borxhi total prej 35.8 milionë euro për kontratat kolektive vetëm gjatë këtij viti.
Përfaqësuesit e përmbaruesve privatë i kanë konsideruar të pabazuara dhe të papranueshme deklaratat e Muratit për abuzim me tarifa.
Në reagimin e tyre thuhet se Murati nuk ka bërë analizë të mirëfilltë për çështjen, se nuk ka informacion e se është deklaruar në mënyrë të përgjithësuar dhe “paushalle”.
Oda e ka quajtur deklaratën e Muratit politike e populiste me qëllim për të dëmtuar reputacionin e përmbaruesve privatë.
Ajo ka kërkuar që Murati të tërhiqet nga deklarata e tij dhe ka thënë se nëse Murati nuk tërhiqet nga deklarata, përmbaruesit do të shqyrtojnë mundësitë ligjore.