Dezinformatat ruse dhe kineze paraqesin problem global që kërkon koordinim dhe angazhim të bashkërenduar mes shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, thotë Ben Graham, konsulenti i specializuar në sfidat e reja për integritetin e zgjedhjeve.
Ky bashkëpunim, thekson ai, është i domosdoshëm për të ndërtuar integritetin e informacionit.
Në anën tjetër, dezinformimit rus nuk i shpëtuan as zgjedhjet në Kosovë, të mbajtura më 9 shkurt. Tituj me përmbajtje manipuluese pati gjatë gjithë fushatës.
Misioni i Bashkimit Evropian theksoi se vetëm “RT Balkan” dhe “Sputnik Serbia” kanë publikuar rreth 60 artikuj për zgjedhjet në Kosovë, me narrativë manipulimi kundër komunitetit serb.
“Dezinformata ruse është një sfidë globale dhe është një realitet me të cilin çdo vend duhet të përballet. Kemi dezinformata nga një gamë e gjerë, që është gjithnjë e më shumë e koordinuar. Kështu që shohim, për shembull, perversione të informacionit që herë pas here përforcohen gjithashtu edhe nga rrjetet kineze, pra shohim një nivel të rritur të koordinimit global. Por, sa i përket Ballkanit në mënyrë specifike, ka shumë organizata që punojnë në këtë fushë brenda rajonit, mendoj se do të ishte e përshtatshme të flisnim brenda këtyre dinamikave”, thotë ai.
Graham flet për masat që po merren për të ruajtur integritetin e informacionit dhe zgjedhjeve.
“Do të thosha se BE-ja po ndërmerr hapa shumë të rëndësishëm, nëse e shohim FIMI-ISAC për shembull, i cili është krijuar për të lehtësuar një koordinim më të madh, në kuadër të kuptimit të natyrës së kërcënimit. Ka gjithashtu një numër gjithnjë e më të madh organizatash që po përdorin korniza të përbashkëta për të shpërndarë të dhëna dhe për të ndarë informacion mbi incidentet e dezinformimit, përfshirë operacionet informative ruse. Mendoj se tashmë ka shumë përparime që janë bërë në nivelin e BE-së, por në të vërtetë kjo kalon përtej BE-së. Është një sfidë globale, dhe ajo që duhet të bëjmë tani është forcimi i këtyre lidhjeve përtej BE-së, për të siguruar që sa më shumë organizata të mundshme të punojnë për të ndërtuar integritetin e informacionit”, thotë Graham.