Eman Rrahmani nga Koalicioni për Familjen, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ka qenë i vetmi deputet i Lëvizjes Vetëvendosje që nuk e ka votuar strategjinë për energji të Qeverisë Kurti, për shkak të mospërfshirjes së ndërtimit të një termocentrali të ri.
Sipas Rrahmanit, Vetëvendosja kishte premtuar ndërtimin e një termocentrali të ri, por ky projekt nuk ishte përfshirë në strategjinë për energji, prandaj ai e kishte kundërshtuar.
“Jam i vetmi deputet që nuk ia kam votuar strategjinë për energji Qeverisë Kurti. Arsyeja ka qenë publike, sepse në Kuvend kam thënë se ne si Vetëvendosje kemi premtuar ndërtimin e një termocentrali të ri, por në strategjinë për energji ju nuk e keni përfshirë këtë projekt. Për këtë arsye, unë nuk e votoj strategjinë për energji,” tha Rrahmani.
Ai shtoi se rritja e çmimeve të energjisë është e lidhur me rregulloren e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila është e detyruar të miratojë rritjen e çmimeve kur operatorët argumentojnë rritjen e kostove.
“Këto rritje të çmimeve tani, bazuar në rregulloren e ZRRE-së, janë të detyrueshme. Në momentin që operatorët e dëshmojnë rritjen e kostos së energjisë, ZRRE është e obliguar ta pranojë dhe ta rrisë çmimin,” u shpreh Rrahmani.
Deklaratën e plotë të Eman Rrahmanitnë CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: