Drejtori i organizatës “Polcon”, Fitim Mulolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se përfshirja e madhe e diasporës në procesin zgjedhor ngre shqetësime për legjitimitetin demokratik, pasi vota e tyre mund të jetë vendimtare në rezultatet e zgjedhjeve.
Sipas Mulollit, diaspora jo vetëm që ka dërguar mbi 75 mijë vota, por ka edhe mijëra qytetarë që kanë udhëtuar fizikisht për të votuar, duke e çuar numrin e përgjithshëm mbi 100 mijë vota, që përbën një përqindje të konsiderueshme të elektoratit.
“Kur jemi te diaspora, 75 mijë vota u përmendën si valide, por mund të supozohet që edhe 30-35 mijë kanë votuar fizikisht në Kosovë. Kjo e çon numrin mbi 100 mijë, që është afër 15% të votës totale. Këtë çështje e kemi ngritur edhe më herët në këtë studio, dhe për mua është një shqetësim për legjitimitetin e demokracisë”, tha Mulolli.
Ai tha se pavarësisht se diaspora ka të drejtë vote, pasi ka shtetësi dhe lidhje me Kosovën, pjesëmarrja e madhe e saj krijon një situatë ku ndikimi i tyre bëhet vendimmarrës, duke ndikuar në drejtimin politik të vendit.
“Të gjithë kanë të drejtë vote, kanë shtetësi, prona dhe familje këtu, por nuk jetojnë në Kosovë. Nëse nuk e bëjnë jetën e plotë këtu, demokracia duhet të marrë parasysh efektin e një pjesëmarrjeje të tillë. Kur vota e diasporës arrin 15% të votës totale, ajo bëhet vendimmarrëse, siç mund të ndodhë edhe tani”, u shpreh Mulolli.
Deklaratën e plotë të Fitim Mulollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: