PËRGATITI: KRENARE MULLIQI
Partia Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit u rendit e dyta me mbi 22% të votave, nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni me partitë e tjera që u renditen pas saj.Nga kjo parti thonë se çfarëdo oferte që eventualisht mund të iu bëhet, janë të hapur për diskutim.
“ Ne nuk kemi folur ende ne detaje për këtë çështje, oferta ende nuk mund të bëjmë, por nëse ato na vinë ne i shqyrtojmë fillimisht pastaj marrim vendim…”, deklaroi kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk pranuan të flasin para kamerës lidhur me këtë çështje, por prapa saj thanë se nuk kanë qëndrim deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.
Ndërsa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovë janë të hapur për çfarëdo oferte për koalicion, por përjashtojnë Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ne jemi për koalicion me opozitën, për të kthyer Kosovën në binaret e duhura dhe Kosova të marr rrugën për në NATO…”, tha Ahmet Isufi, kandidat për deputet nga radhët e AAK-së.
Isufi renditë disa arsye përse AAK-ja refuzon bashkëpunimin me partinë që doli e para në zgjedhje.
Bazuar në rezultatet preliminare, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë më së shumti vota, ka siguruar 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për formimin e qeverisë i duhen së paku 61./atvlive.tv/