Mbi 4 mijë e 500 pacientë janë operuar në Klinikën e Syve, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë vitit 2024.
Në njoftimin e bërë nga QKUK thuhet se ky numër është rritur për 500, krahasuar me vitin paraprak.
“Rritja e numrit të operacioneve dhe performancës është bërë falë investimeve që janë bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK, qoftë në investimet në infrastrukturë, poashtu edhe në resurse humane dhe pajisje mjekësore”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se në këtë klinikë janë kryer edhe mbi 45 mijë vizita ambulantore specialistike dhe sub-specialistike në profile të ndryshme oftalmologjike.
“Duhet theksuar se në këtë klinikë është rritur edhe gama dhe llojet e operacioneve, përfshirë edhe ato më të komplikuara, që ka mundësuar që referimet për trajtim jashtë vendit të ulen dukshëm”, vijon njoftimi.