Zogaj kërkon zbatim të sistemit audio dhe video nga gjykatat: Po dalim joseriozë përballë partnerëve ndërkombëtarë

Kryesuesi Albert Zogaj tha se po hezitohet në përdorimin e sistemit audio dhe video për proceset gjyqësore nga ana e gjykatave. Kjo gjë, sipas tij po bën që të dalin joseriozë para ndërkombëtarëve.

“Duhet m’i mbajtë përgjegjës, këtu e fus edhe sistemin audio, ku kosto është mbi 5 milionë dollarë, e knej kemi hezitim në përdorim e tyre nga gjykatat, po dalim joseriozë te partnerët ndërkombëtarë”, tha Zogaj.

Këtë deklarim, ai e bëri në mbledhjen e 342-të të KGJK-së të martën, gjatë raportimit të drejtorit të Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Zogaj tha se në sistemin gjyqësor po vijon të mbizotërojë kryerja e punëve në mënyrë urgjente dhe se kjo kulturë duhet të largohet nga sistemi gjyqësor duke kërkuar planifikim të aktiviteteve, i cili garanton cilësi të proceseve.

Kryesuesi përmendi edhe çështjet e sigurisë nëpër gjykata, duke ofruar mbështetjen e Këshillit për adresim të problemeve që mund të ketë pjesa e sigurimit të gjykatave.

Ndërkaq, lidhur me cilësinë e të dhënave, Zogaj tha se tash e tutje nuk do të jetë më temë në Këshill dhe se një çështje e tillë i bartet Sekretariatit pasi që ka strukturën e nevojshme për trajtimin e çështjeve dhe vendosjen para përgjegjësisë të stafit në rast të gabimit në cilësinë e të dhënave.

Po ashtu, Zogaj kërkoi që Sekretariati të fillojë përgatitjtet për Gjykatën Administrative dhe përmbushje të të gjitha rekomandimeve që rrjedhin nga Auditori i Brendshëm dhe ai i Jashtëm.

Ndërkaq, drejtori Maliqi tha se nga ana e Sekretariatit nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë vullneti për adresimin e çështjeve dhe përmbushjen e obligimeve.

Lidhur me çështjet e Sekretariatit, foli edhe anëtari i Këshillit, Vilard Bytyqi, i cili tha se duhet të eliminohet përmendja e të njëjtave problematika që po e përcjellin Këshillin vit pas viti.

Ndërkaq anëtari tjetër, Artan Abazi kërkoi të dijë se a janë përmbushur të gjitha objektivat e Sekretariatit dhe a ka pasur pengesa gjatë realizimit të objektivave. Me këtë rast, Maliqi tha se nuk ka pengesa dhe se objektivat janë tejkaluar.

Tutje, mbledhja vazhdoi me raportimin nga ushtruesi i detyrës së Njësisë për Inspektim Gjyqësor, Dul Gjocaj, i cili tha se si Njësi kanë nevojë për staf mbështetës dhe se janë të angazhuar nëpër tema të ndryshe për inspektim.

Lidhur me punën e Njësisë, Bytyqi tha se Njësia duhet të largohet nga disa role teknike dhe duhet të futet në thelbin e çështjes që kanë për trajtim sipas legjislacionit.

Ndërkaq, anëtari tjetër i Këshillit, Fahret Vellija tha se duhet të punojnë që të kenë një databazë të të dhënave për çështje të ndryshe, si ato familjare, për korrupsion, duke kërkuar që të lehtësohet filtrimi i të dhënave kur ato nevojiten.

Po ashtu, u paraqit edhe implementimi i aktiviteteve të Planit të Punës së KGJK-së për vitin 2024 nga drejtori i zyrës ligjore, Astrit Hoti, si dhe u themelua Komisioni për vlerësimin e performancës së ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi.

Komisioni do të ketë këtë përbërje: Teuta Ibrahimi- kryesuese, Ahmet Imami dhe Artan Abazi- anëtarë, si dhe Vilard Bytyqi dhe Besnik Bislimaj- anëtarë rezervë.

Në fund, Këshilli bëri ndryshimin e vendimit KGJK.nr.29/2025 të datës 24 janar 2025, në lidhje me përbërjen e Komisionit vlerësues për konkursin “Gjyqtar mbikëqyrës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës”, duke e vendosur Arjeta Sadikun anëtare të komisionit.

Ndërkaq, u tërhoq nga rendi i ditës shqyrtimi i raportit mbi pozitat e shpallura për administratorë të gjykatës, si dhe me dyer të mbyllura vijoi mbledhja për themelim të një paneli hetimor për një rast disiplinor.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA