Sanksionimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale kërcënon pavarësinë e saj dhe minon sistemin ndërkombëtar të drejtësisë penale në tërësi, deklaroi sot presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Urdhri Ekzekutiv përfaqëson një sfidë serioze për punën e GJNP-së me rrezikun e ndikimit në hetimet dhe procedurat në vazhdim, përfshirë ato në lidhje me Ukrainën, duke ndikuar në përpjekjet e viteve për të siguruar llogaridhënie në mbarë botën”, tha ndërkohë një zëdhënës i Komisionit Evropian, i cili “shpreh keqardhjen e tij për vendimin e Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare”.
”Gjykata Penale Ndërkombëtare ka një rëndësi thelbësore në mbështetjen e drejtësisë penale ndërkombëtare dhe luftës kundër pandëshkueshmërisë”, vazhdoi zëdhënësi i Komisionit Evropian duke shtuar se ”BE mbështet Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe parimet e përcaktuara në Statutin e Romës. BE do të monitorojë implikimet e urdhrit ekzekutiv dhe do të vlerësojë masat e mundshme të mëtejshme”.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që miraton sanksionet kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) në Hagë.
As SHBA-ja e as Izraeli nuk janë anëtarë apo nuk e njohin gjykatën, e cila ka lëshuar fletarrestime për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për krimet e pretenduara të luftës lidhur me përgjigjen ushtarake të shtetit të tij në Gazë, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin në tetor të vitit 2023.
Urdhri i nënshkruar nga Trumpi e akuzon GJNP-në se po përfshihet në “veprime të paligjshme dhe pa bazë që shënjestrojnë Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë Izraelin” dhe për abuzim të pushtetit duke lëshuar “fletarrestime të pabaza” kundër Netanyahut dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant.





