Një grup ish-udhëheqësish të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) u bashkuan të mërkurën për të lëshuar një reagim të ashpër ndaj përpjekjeve të administratës Trump për zhbërjen e agjencisë.
Në një deklaratë të përbashkët, pesë ish-administratorë të cilët “u kanë shërbyer presidentëve të ndryshëm” theksuan rëndësinë globale të agjencisë dhe thanë se shkatërrimi i saj do të dëmtojë vetëm amerikanët.
“Megjithëse nuk biem dakord për të gjitha çështjet, ne pajtohemi me gjithë zemër se programet e USAID-it dhe të ndihmave ndërkombëtare amerikane janë jetike për interesat tona, se burrat dhe gratë e karrierës së USAID-it i kanë shërbyer mirë secilit prej nesh dhe se është detyrë e Administratës dhe Kongresit që të mbrojnë rolin statutor të Agjencisë”, shkruan ata në deklaratë.
“Dështimi për të ruajtur angazhimin global që mundëson ndihma ndërkombëtare, për të nderuar burrat dhe gratë e shërbimit tonë civil siç bëjmë ne me ata në shërbim ushtarak, ose dobësimi dhe madje zhbërja e Agjencisë nuk është në dobi të asnjë partie politike dhe në dëm të të gjithë amerikanëve,” vazhduan ata.
Deklarata u nënshkrua nga ish-administratorët e USAID-it, J. Brian Atwood, Peter McPherson, Andrew Natsios, Gayle Smith dhe Samantha Power.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi këtë javë se do t’i pezullojë nga puna të gjithë punonjësit me kontratë të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në mbarë botën dhe se do t’i tërheqë mijëra pjesëtarë të stafit që punojnë jashtë vendit.
“Të premten, më 7 shkurt, të gjithë punonjësit me kontratë të USAID-it do të pezullohen në gjithë botën”, thuhet në një njoftim në uebsajtin e USAID-it, i cili ka qenë jashtë funksionit prej fundjavës së kaluar.
Forca punëtore e USAID numëron më shumë se 10.000 persona. Rreth dy e treta e stafit shërben jashtë vendit, sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit (CRS). Agjencia ka më shumë se 60 misione kombëtare dhe rajonale.
USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999, dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.