Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-NISMA, Mensur Neziri, në emisionin COMPASS në ATV, tha se një nga prioritetet kryesore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është që të rinjtë të gjejnë vendin e punës brenda vendit dhe të mos detyrohen të largohen jashtë.
Sipas tij, nëse të rinjtë do të kenë mundësi punësimi në Kosovë, askush nuk do të lëshojë vendin.
“Synimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është që të rinjtë të gjejnë vendin e punës këtu, sepse për këtë pjesë është punuar brez pas brezi. Është punuar që në Kosovë të rinjtë të punojnë për Kosovën, ta ndërtojnë atë, ta zhvillojnë atë. Sigurisht që, nëse të rinjtë do të kenë mundësi punësimi në Kosovë, askush nuk do të lëshojë vendin”, tha Neziri.
Ai tha se për shkak të standardit ekonomik të ulët, madje edhe mësimdhënësit detyrohen të migrojnë për një jetë më të mirë jashtë vendit.
“Ne sot, fatkeqësisht, mund të themi se edhe mësimdhënësit marrin një vit pa pagesë për të migruar dhe për të punuar jashtë vendit. Jo pse ata kanë dëshirë të bëjnë një gjë të tillë, por për shkak të standardit ekonomik që ia pamundëson një mësimdhënësi të jetojë dinjitetshëm. Aleanca, për pjesën e mësimdhënësve, ka planifikuar rikthimin e kontratës kolektive”, u shpreh Neziri.
Deklaratën e plotë të Mensur Nezirit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë: