Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-NISMA, Xhevahire Izmaku, në emisionin COMPASS në ATV, tha se pavarësia e mediave është e rrezikuar nga tentativat e qeverisë për të ndërhyrë në institucionet e pavarura të menaxhimit medial.
Sipas saj, Kosova ka ndërtuar një infrastrukturë ligjore solide për mediat, por përpjekjet e qeverisë për t’i futur ato në korniza ligjore kontrolluese janë shqetësuese.
“Gjithmonë në demokraci duhet pasur kujdes që të mos ketë ndërhyrje te institucionet e pavarura, aq më pak te mediat. Ne duhet të mbështesim funksionimin e mediave, sepse për të ndërtuar një infrastrukturë të pavarur të fjalës së lirë, sigurisht që ka pasur sfida në këtë vend”, tha Izmaku.
Ajo tha se përpjekjet për të futur portalet dhe platformat mediale në një kornizë ligjore të kontrolluar nga qeveria janë praktika autokratike dhe bien ndesh me parimet e demokracisë.
“Ka pasur tentativa të qeverisë për të ndërhyrë në institucionet e pavarura që menaxhojnë operimin medial në Kosovë, siç është Komisioni i Pavarur për Media. Është tentuar të vendoset një kornizë ligjore për portalet, gjë që nuk ndodh askund në botë. Në demokraci, platformat operojnë me vetëmenaxhim dhe etikë profesionale, e jo me kontroll të qeverisë. Këto ndërhyrje ndodhin vetëm në shtetet autokratike”, u shpreh Izmaku.
Deklaratën e plotë të Xhevahire Izmakut në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë: