Kandidati për deputet nga LDK, Visar Azemi, në emisionin CONTEXT në ATV, kritikoi Qeverinë Kurti për refuzimin e projektit të gazit të financuar nga SHBA, duke theksuar se një qasje e tillë ka ndikuar në largimin e investitorëve nga Kosova.
Sipas tij, Serbia ka përfituar nga kjo situatë duke nënshkruar marrëveshje strategjike për energjetikë dhe duke tërhequr investime të shumta nga bizneset amerikane.
“Projektin me gaz, të cilin Qeveria Kurti e refuzoi në momentin e parë kur iu ofrua si mundësi, bile-bile edhe me financim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot ajo Serbi ka nënshkruar marrëveshje strategjike për energjetikë, që nënkupton lidhje direkte me atë gazin të cilin ne nuk e kemi marrë. Gjatë këtyre katër viteve të fundit, kemi parë një fluks të madh të bizneseve amerikane dhe jo vetëm, që janë orientuar drejt Serbisë”, tha Azemi.
Ai tha se deklaratat e kryeministrit për luftë kanë ndikuar drejtpërdrejt në frikësimin e investitorëve të huaj dhe largimin e mundësive ekonomike për Kosovën.
“Qeveria e Kosovës, çdo prononcim për veten e ka deklaruar për luftë dhe për marrëdhënie të këqija me fqinjët e saj. Asnjë biznes nuk vjen në Kosovë me investu kur kryeministri del dhe flet se në Kosovë do të ketë luftë”, u shpreh Azemi.
Deklaratën e plotë të Visar Azemit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: