Deficiti tregtar i Kosovës është rritur me 17.5% në dhjetor 2024, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke arritur në 561,5 milionë euro, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), raporton EO.
Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në një intervistë për Ekonomia Online ka ngritur shqetësime për bilancin negativ tregtar dhe ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente nga Qeveria e re, e cila do të dal nga zgjedhjet e 9 shkurtit, për të mbështetur prodhuesit vendor dhe për të rritur eksportet.
Sipas Rafunës, të dhënat e ASK-së konfirmojnë atë që OEK ka paralajmëruar prej kohësh, që eksportet mbulojnë vetëm 17% të deficitit tregtar, ndërsa importet janë në rritje.
“Kemi kërkuar nga ana e qeverisë që të merren masa konkrete që të ndihmohet prodhimi që ta rrisim eksportin dhe ta ulim këtë deficitin tregtar. Këto të dhëna të ASK-së që përputhen plotësisht edhe me të dhënat që i ka OEK-u është që ne e mbulojmë vetëm 17 për qind deficitin tregtar me eksport, që nënkupton që importi është duke u rritur dhe është rritur në vlerë. Kurse, eksporti madje këtë vitin e fundit, sipas të dhënave preliminare, kemi një rënie të lehtë të eksportit kundrejt viti paraprak. Kjo është shqetësuese dhe ne e përsërisim kërkesat tona edhe qeveria e re që do të formohet pas zgjedhjeve të reja, pavarësisht cila parti politike do të jetë në qeveri ose pjesë e saj, kërkojmë që me urgjencë të merren masa konkrete që të ndihmohet prodhimi vendor, ta rrisim prodhimin vendor”, ka thënë ai.
Një tjetër faktor shqetësues, sipas Rafunës, është mungesa e investimeve të huaja cilësore në sektorin e prodhimit dhe ulja e shpenzimeve kapitale nga ana e Qeverisë. Për më tepër, ai tha se masat ndëshkuese të BE-së, të cilat kanë bllokuar projekte me vlerë mbi 300 milionë euro, kanë përkeqësuar edhe më shumë situatën ekonomike.
“Shto kësaj që ne jemi edhe duke vuajtur edhe për investime të huaja kualitative në kuptimin e hapjes së fabrikave ose sjelljen e brendeve të njohura botërore për të punësuar rininë tonë. Si dhe mos shpenzimin nga qeveria e Kosovës edhe të shpenzimeve kapitale si mjeteve në buxhetin e shtetit të paraparë për shpenzime kapitale. Po ashtu që jemi nën masa ndëshkuese të BE-së që janë projekt që nuk kanë mundur të implementohen që tejkalon vlera e tyre mbi 300 milion euro dhe gjitha këto kur akumulohen ta jepni këtë shifër që ky eksport, jo që është rritur por ka filluar që të ketë një rënie kundrejt vitit paraprak dhe importi po të rritet si rezultat i uljes së prodhimit vendor, kjo është shumë e keqe për ekonominë tonë, për standardit jetësor qytetareve të Kosovës është shumë e keqe dh duhet me urgjencë të merren veprime konkrete, masa konkrete, duke filluar nga politikat fiskale, duke filluar nga veprimet administrative, duke filluar te çështja e interesave të kredive për prodhuesit për eksportuesit. Por, edhe veprime të sundimi i ligjit edhe veprime të reforma e arsimit”, ka thënë Rafuna për Ekonomia Online.
Rafuna tha se përderisa sektori i shërbimeve ka treguar suficit fal politikave të kaluara që kanë ndihmuar të rinjtë të punojnë për tregun ndërkombëtar pa lëvizur jashtë vendit, sektori i prodhimit ende mbetet i pazhvilluar dhe pa mbështetje të mjaftueshme.
Ai për këtë theksoi se duhet që me urgjencë të shihet se në cilët sektor, si vend jemi konkurrues dhe në ata sektor të përqendrohen subvencionet në mënyrë që të shtohet prodhimi vendor.
“Meqenëse vlera ju ka ofruar 6 miliard kjo tregon, ndërsa ne tani për herë të parë sillemi rreth 900 e pak milionë në eksport dhe kjo e tregon çfarë diference kemi mes importit dhe eksportit. Shikoje tani te shërbimet ne kemi suficit, pse, fal masave që janë marrë më herët nga qeveritë në të kaluarën që e kanë ndihmuar të rinjtë dhe të rejat që të ofrojnë shërbime pa qenë nevoja që të jenë fizikisht jashtë. E njëjta situatë duhet me ndodh edhe te prodhimi, te produktet e konsumit. Duhet me urgjencë të ndihmojmë prodhimin tonë dhe ta shohim cilët sektor jemi konkurrues, në ata sektor t’i përqendrojmë subvencionet dhe ta ndihmojmë që të shtohen prodhimi vendor, të ulet papunësia dhe ta ndryshojmë bilancin tregtar ku menjëherë do të vërehet edhe një rritje e zhvillimit ekonomik të vendit dhe ngritje të mirëqenies sociale për qytetarët tanë”, ka thënë ai.
Rafuna, gjithashtu ka bërë thirrje që edhe politikat fiskale të rishikohen, pasi ka gjashtë vite që nuk janë ndryshuar, duke eliminuar barrierat administrative dhe duke krijuar më shumë lehtësi për prodhuesit.
“Nuk janë të mjaftueshme, ka nevojë ende për mbështetje nëpërmjet politikave fiskale, ky është viti i gjashtë që nuk është bërë freskimi i politikave fiskale. Ka hapësirë dhe mundësi shumë më shumë për të eliminuar shumë barriera që ekzistojnë sot, qoftë administrative ose jo administrative. Që ndoshta në një periudhë të caktuar kanë qenë të mira e efektive, mirëpo koha tani ka ardhur që ato duhet që të eliminohen sepse janë bërë pengesë për prodhuesit tanë. Më pas duhet të ndihmohet nëpërmjet subvencioneve të ndryshëm, prodhuesi jonë, ta zgjeroj veprimtarin e vetë, por edhe sipas mundësisë, ose t’i gjejmë hapësirë se shumë kërkesa ka nga bizneset që të ofrohet hapësire në prona publike të merren me qira ose t’u mundësohet që të merren në shfrytëzim për të arritur veprimtarinë. Qoftë se nuk ka hapësirë, nuk ka mundësi të dhënies në shfrytëzim të ndonjë prone që është publike, atëherë të shihet mundësia sidomos për start-up që të subvencionohet një pjesë e qirasë për një periudhë të caktuara deri sa ai star-up të bëhet i vet qëndrueshëm”, ka thënë ai.