Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Besiane Musmurati, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se partia e saj ka plan të qartë për ndërtimin e 25 çerdheve në vit, si një hap të domosdoshëm për përmirësimin e sistemit të kujdesit për fëmijët.
Sipas Musmuratit, aktualisht, numri i fëmijëve të regjistruar në çerdhe është shumë i ulët krahasuar me nevojat dhe standardet e vendeve të tjera.
“Ne e kemi paraparë ndërtimin e 25 çerdheve në vit. Ky është një plan ambicioz, por i domosdoshëm. Në Kosovë ka rreth 132 mijë fëmijë nga mosha zero deri në gjashtë vjet, ndërsa vetëm rreth 31 mijë janë të regjistruar në çerdhe. Pra, flasim për një mesatare jashtëzakonisht të ulët në krahasim me çdo vend tjetër”, tha Musmurati.
Ajo tha se vetëm 23 për qind e fëmijëve ndjekin çerdhet publike ose private, prandaj investimi në këtë sektor është i domosdoshëm për zhvillimin e fëmijërisë së hershme.
“Vetëm 23 për qind e fëmijëve janë të regjistruar në çerdhe, qoftë publike apo private. Prandaj, mendoj se ky është investimi i duhur për fëmijërinë e hershme”, u shpreh Musmurati.
Deklaratën e plotë të Besiane Musmuratit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: