Avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra, tha të enjten në Hagë se njëri prej patologëve që ka bërë autopsinë e që dëshmitarit John Clarke i është kërkuar interpretim, ishte dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin ndaj Sllobodan Millosheviqit për masakrën e Reçakut.
Profesori në fjalë, sipas avokates ishte Stadica Dobriçanin, për të cilin dëshmitari tha se me këtë person nuk ka pasur asnjë kontakt personal ose profesional, raporton“Betimi për Drejtësi“.
“Doktor Clarke, a e dini ju që Stadica Dorbricanin ka qenë dëshmitar i mbrojtjes për gjykimin e Millosheviqit në TPNJ dhe madje ka qenë dëshmitar fakti në mbrojtjen e Millosheviqit për masakrën e Reçakut që besoj se e njihni, a e dini ju këtë?”, tha Alagendra.
“Jo, nuk e dija këtë”, tha Clarke.
Dëshmitari u pajtua që mjekët e autopsisë duhet të jenë profesionalë dhe anshmëritë nacionaliste, ideologjike, personale dhe në veçanti ekspertëve të komuniteteve që janë përfshirë në konflikt, duhen marrë parasysh kur gjykohet paanshmëria e një eksperti të caktuar.
Ai mohoi se mori informacion nga ZPS-ja për anshmëritë politike dhe profesionale të profesor Dobricaninit, të cilat mund të kenë ndikuar në përfundimet e tij.
Me pas, avokatja kërkoi që t’i prezantohet një dokument, për çka kundërshtoi prokurori James Pace.
Ai tha se dokumenti në fjalë i ka vetëm dy faqe që mendohet se janë nxjerrë nga një dëshmi më e gjatë dhe nuk e kanë dëshminë në tërësi. Gjithashtu, ai tha se eksperti është një patolog kriminalistike dhe sa u takon viktimave për të cilat përmenden në aktakuzë, nuk përmenden viktimat e Reçakut.
Si rrjedhojë, prokurori kërkoi që të pyetet mbrojtja se cila është relevanca për këto pyetje. E Alagendra tha se dëshiroi që të marrë opinione prej dëshmitarit Clarke lidhur me fiziologjinë.
“Doja të merrja opinione prej doktor Clarke lidhur me fiziologjinë e kosovarëve. Pra, atributet fizike të kosovarëve. Karakteristikat e kosovarëve, sepse ka qenë në Kosovë dhe është në gjendje që të na e jep një mendim. Veç kësaj, do të kisha më shumë informacion sa i takon paanshmërisë së profesor Dobricaninit”, tha ai.
Si rrjedhojë, u rrëzua kundërshtimi i Prokurorisë dhe mbrojtja e Krasniqit vijoi me pyetje të veta.
Kur filloi seanca pas pushimit 30 minutash, Hashim Thaçi kërkoi që ta marrë fjalën pasi ishte i pranishëm përmes video-lidhjes. Si rrjedhojë, ndërhyri avokatja e tij, Nina Tavakoli duke kërkuar seancë private, gjë e cila u pranua nga trupi gjykues.
Ndërsa, për dëshmitarin nuk pati pyetje mbrojtja e Rexhep Selimit e përfaqësuar nga avokati Eric Tully.