Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar 18 mijë e 163 vëzhgues të 21 subjekteve të ndryshme politike të cilat janë të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Në mbledhjen e radhës të KQZ-së u bë e ditur se dy subjektet politike, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë aplikuar me numrin më të madh të vëzhguesve, me mbi 4 mijë.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tregoi numrin e aplikuesve për vëzhgues nga 21 subjekte politike.
“Janë gjithsej 21 subjekte politike. Numri i vëzhguesve të subjekteve politike në total është 18 mijë e 163. Po filloj me Lidhjen Demokratike të Kosovës me gjithsej 3 mijë e 693 vëzhgues. Kosova Demokratik Turk Partisi me 257 vëzhgues…Serbska Lista me 290 vëzhgues. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate me 3 mijë e 571 vëzhgues. Koalicioni për Familje me 253 vëzhgues… Lëvizja Vetëvendosje ka aplikuar me gjithsej 4 mijë e 356 vëzhgues, të cilët nuk janë kandidatë përpos zgjedhor në Kosovë dhe të gjithë vëzhguesit janë në listën përfundimtare të votuesve…Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar me gjithsej 3 mijë e 939 vëzhgues, janë të grupit të dytë. Nëse përfshihen edhe vëzhguesit e grupit të parë, që kanë qenë 95. Në total janë 4 mijë e 34 vëzhgues”, tha Buzhala.
Përveç kësaj, ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe miratimi i rekomandimit të sekretariatit për shfrytëzimin e hapësirave të institucionit të Avokatit të Popullit për vlerësimin dhe pranimin e dërgesave postare të votimit jashtë Kosovës.
Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani tha se janë paraparë të gjitha masat e sigurisë në raport me policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera për shfrytëzimin e kësaj hapësire.
“Këshilli për Operacione Zgjedhore ka shqyrtuar rekomandimin e sekretariatit për shfrytëzimin e hapësirave të institucionit të avokatit të popullit. Për vlerësimin dhe pranimin e dërgesave postare të votimit jashtë Kosovës. Bëhet fjalë për zarfe dhe fletëvotimet. Ky proces do të fillojë me pranimin e pakove postare, në këtë rast që arrijnë në Kosovë. Përmes postës të trajtohen, të vlerësohen dhe të pranohen në ambientet e mësipërme. Nevojitet që të lëshohet një vendim. Janë paraparë të gjitha masat e sigurisë në raport me policinë e Kosovë dhe të tjerat”, tha Elshani.
Po ashtu, anëtarët e KQZ-së miratuan pikën sipas të cilës transporti i materialit zgjedhor nga qendrat komunave drejt këshillave të vendvotimit të bëhet përmes kombibusëve dhe kamionëve, e jo me mjete private të kryesuesve.
“Ne në rregullat zgjedhore kemi paraparë që transportimi i materialeve zgjedhore, i kutive të bëhet nga kryesuesit bashkë me Policinë e Kosovës. Por të bëhet me automjetet e tyre private. Duke parë vështirësitë që kanë në raport me gjetjet e këtyre, ka raste kryesuesi ose anëtarët e Këshillit të vendvotimit nuk kanë vetura ose nuk dëshirojnë të shfrytëzojnë veturën e tyre për këtë. Kemi vendosur t’i rikthemi asaj praktikës së mëhershme, që të mundësohet gjetja e kombibusëve dhe kamionëve të cilët do të mundësojë shërbimin e transportit të materialit zgjedhor nga qendra komunale e drejt këshillave të vendvotimit dhe anasjelltas”, potencoi Elshani.
Ndër të tjera, u aprovuan kërkesat që të bëhet zëvendësimi i anëtarit të komisionit komunal të zgjedhjeve në komunën e Deçanit, Isuf Mehemetaj me Lirije Turkaj Bufaj.
Gjithashtu, KQZ miratoi ndërrimin e lokacionit të qendrës komunale të numërimit për komunën e Gjilanit dhe të Skenderajt.
Në Gjilan u vendos që të zhvendoset në palestrën sportive “Bashkim Selishta”. Ndërkaq në Skenderaj u miratua që të zhvendoset në sallën e Edukatës Fizike në Shkollën e Mesme Teknike “Anton Çeta”. Zgjedhjet parlamentar në Kosovë mbahen më 9 shkurt. /kp