Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimi ka nisur dëshminë e tij, dëshmitari i 114 Prokurorisë, Hansjoerg Strohmeyer.
Sipas prokurorisë, dëshmitari ka shërbyer në Kosovë si këshilltar juridik në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nga qershori deri në shtator të 1999-ës.
“Dëshmitari W02183 ka qenë këshilltar juridik në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nga qershori deri në shtator të 1999. Dëshmitari W2183 do të japë dëshmi për situatën që ka parë në Kosovë kur ka mbërritur dhe takimet që ka pasur me udhëheqësit e UÇK-së dhe çështjet që kanë diskutuar së bashku. Dëshmitari W02183 do të japë dëshmi për njësitet policore të UÇK-së, autoritet lokale dhe tensionet që kanë pasur UNMIK-u me qeverinë e përkohshme të Kosovës”, ka theksuar prokurorja gjatë prezantimit të dëshmitarit.
Dëshmitari ka theksuar se gjatë punës së tij në Kosovë kanë pasur dy vështirësi: si të ushtrohej autoriteti i UNMIK-ut në zonat që kontrollonte UÇK-ja dhe e dyta ishte rendi publik dhe ofrimi i shërbimeve jetike.
Sipas Strohmeyer, gjatë kësaj periudhë situate ka qenë më e tensionuar në Prizren, se sa në pjesët tjera të Kosovës.
Prokurorja paraqiti një raport që sipas saj mbante datën 16-17 qershor 1999 e që fliste për disa serbë që janë takuar me anëtarë të OSBE-së dhe kanë kërkuar ndihmë sa i takon rrëmbimeve të pretenduara të anëtarëve të tyre nga UÇK-ja.
Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari është parashikuar që të zgjasë rreth dy ditë. Ai tha se Prokurorisë i nevojiten një orë e gjysmë, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë parashikuar gjashtë orë për kundërpyetje.
Përpara kësaj, trupi gjykues foli për një kërkesë të Prokurorisë që dëshmitari W02714 të dëshmojë përmes video-lidhjes për nesër paradite. Mbrojtja e Thaçit dhe Selimit nuk patën kundërshtime. Ndërsa, ajo e Krasniqit dhe Veselit kanë theksuar se do të përgjigjen nesër.