Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shënuar sot 25 vjetorin e themelimit duke numëruar shumë të arritura të realizuara gjatë viteve, raporton Ekonomnia Online.
Gjatë këtyre viteve ATK-ja në total ka grumbulluar 11 miliardë euro.
Ilir Murtezaj, drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës ka thënë se rrugëtimi për gjatë këtyre viteve ka qenë plotë me sfida, por në të njëjtën kohë, sipas tij ATK-ja ka prekur edhe suksese.
“Fillimisht ATK kishte një staf prej 30 vetave, ndërsa tani mbi 700. ATK ka obligim të siguroj zbatim të njëtrajtshëm të dispozitave ligjore për gjithë tatimpaguesit. Ne këtë mision e konsiderojmë si mision të shenjtë. Si rezultat i punës profesionale, ATK për këto 25 vite ka mbledhur mbi 8 miliard euro tatime, e në total kemi mbledhur mbi 11 miliard euro”, tha Murtezaj.
Ai ka përmendur se krahas rritjes të hyrave u vazhdua dhe me reformim të shërbimeve të këtij institucioni.
Kurse, Sebastian Sosa, përfaqësues i Fondit Monetar Ndërkombëtar tha se ATK-ja është kruciale për zhvillimin e vendit.
Ai tha se ndihet krenar që kanë ndihmuar ATK-në në rrugëtimin për t’u ngritur dhe zhvilluar.
Eileen Devitt, përfaqësuese nga Ambasada e Amerikës në Kosovë ka uruar ATK-në për bashkëpunimin dhe arritjet e bëra deri më sot.
Jonathan Hargreaves, ambasador i Ambasadës i Britanisë në Kosovë tha se ATK-ja ndërtuar besimin e qytetarëve, por edhe bizneseve.
Hargreaves tha se kanë parë dedikim dhe progres të ATK-së dhe se shifrat tregojnë arritjet e tyre.
“Gjatë 25 viteve ATK ka demonstruar profesionalizëm dhe zotim për misionin e saj. Ju keni ndërtuar besimin e qytetarëve dhe bizneseve. E keni bërë këtë duke përmirësuar grumbullimin e të hyrave. Jam shumë krenar që Mbretëria e Bashkuar ka luajtur një rol të rëndësishëm. Jemi krenar për bashkëpunimin që kemi ndarë me ju”, tha ai.
Nga ana e tij edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde tha se Gjermania mbetet e zotuar për të vazhduar mbështetjen ndaj ATK-së.
Në fund të ceremonisë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se ATK është një arritje e madhe që simbolizon progresin e përbashkët drejt ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm tatimor.
Përmes përkushtimit ATK-ja sipas tij ka ndihmuar bizneset drejt krijimit të një kuadri që promovon barazinë dhe transparencën.