Shoqata e Transportit “Podujevë-Prishtinë” ka pezulluar përkohësisht aktivitetin e saj transportues të udhëtarëve si rrjedhojë e siç thuhet “shkeljeve flagrante të të drejtave elementare dhe rrezikut të falimentimit”.
Në një njoftim zyrtar, shoqata ka theksuar se situata është pasojë e veprimeve të Komunës së Prishtinës, e cila ka lëshuar linja të reja transporti duke anashkaluar procedurat ligjore dhe të drejtat që i takojnë operatorëve ekzistues.
“Këto veprime, sipas shoqatës, kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, duke rrezikuar ekzistencën e saj dhe vendet e punës për shumë persona që varen nga ky sektor”, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, transportuesit kërkojnë me urgjencë ndërhyrjen e institucioneve kompetente për të adresuar këtë shkelje ligjore dhe për të marrë masa të menjëhershme që të mundësojnë vazhdimin e shërbimeve të transportit në kushte të drejta dhe të ligjshme për të gjithë operatorët.
Shoqata kërkon gjithashtu që Komuna e Prishtinës të rishqyrtojë vendimet e saj dhe të sigurojë një treg të ndershëm e të barabartë për të gjithë operatorët, duke respektuar konkurrencën dhe kuadrin ligjor.